"Ballkani i hapur", Topollai: Nismë e dyshimtë e sponsorizuar nga lart dhe me qëllime jo të pastra
Diplomati Spartak Topollai i ftuar në studion e Ora News ka folur për nismën "Ballkani i hapur." Ai e cilëson një nismë të dyshimtë të sponsorizuar nga lart me qëllime jo të pastra. Sipas diplomatit, do të ishte më mirë nëse kjo nismë do të quhej Sorosi i hapur.
Topollai: "Mendoj që është një nismë e dyshimtë e sponsorizuar nga lart dhe me qëllime jo të pastra. Për Ballkanin e hapur duhet të jenë gjitha ballkanasit, gjithë popujt dhe kështu në parim duket një gjë shumë e mirë, por kushtet, rrethanat, koha, mënyra, pjesëmarrja të gjitha këto lënë shumë për të dëshiruar. Së pari u hodh ideja me termin e përcaktuar minishengeni ballkanik, disi i çuditshëm ishte ky emërtim, por para këtij tjetrit ishte "lule."
Ballkani i hapur më mirë do të ishte nëse do të quhej Sorosi i hapur, sepse është produkt i babë e bir George dhe Aleksandër Soros të cilët e kanë shumë qejf këtë fjalën i hapur. Shoqëria e hapur ka vetëm një kuptim, përveç emrin që të lë një shije të mirë, gjë tjetër nuk ka. Është një pjesë, një sajesë e një miliarderi për të shtuar miliardat e tij."
Sipas tij, ashtu si nismat e tjera që kanë dështuar, ky do të jetë krye-dështimi.
Topollai: "Ballkani i hapur, i përgjysmuar plotësisht sepse janë vetëm 3 shtete Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni sepse mungon Kosova. Nuk mendoj se është përgjegjësi e Kurtit, përkundrazi unë do ta vlerësoja dhe pse është një politikan me bindje të majta, mendoj që është një politikan vizionar dhe energjik dhe parimin e kombit e ka të shenjtë. Të gjitha nismat kanë dështuar dhe kjo do të jetë krye-dështimi për mendimin tim. Asgjë nuk mund të konkretizohet me tre të ashtuquajtura marrëveshje periferike pa asnjë rëndësi. "
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
