Pesë vjet pandëshkueshmëri për Ardit Gjoklajn/ Prova mbetet. Erion Veliaj i fotografuar me prokurorin Fusha

Sot mbushen 5 vjet nga vrasja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Kthim në kohë

"Pak ditë pas varrosjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, vëllai i tij i madh u rikthye në landfillin e Sharrës. Me trupin e imët dhe me sy të skuqur nga lotët, Ardiani, 19 vjeç, i kërkoi rojes ta lejonte të shkonte në zyrën e financës së kompanisë “3R”; lajmi për shpërndarjen e rrogave të muajit korrik e shtyu atë sërish drejt vendit të tragjedisë.

Në zyrën e financës, Ardianit i vunë përpara borderonë me emrat e rreth 215 punëtorëve. Ai i tha BIRN se gjeti mes tyre emrin e të vëllait, hodhi një firmë krah tij dhe punonjësja i la në dorë 23 mijë lekë-pagesa e dyzet ditëve punë që Arditi kish kryer në landfill para se të masakrohej për vdekje mes plehrave.

“I mora, pse t’ua lija atyre?! Im vëlla u vra për ato para. Të punoje mes plehrave nuk ishte e lehtë. Unë nuk ia dola dot,” thotë i pikëlluar Ardian Gjoklaj për BIRN  shkruante gazetarja Lindita Çela në një shkrim të publikuar më 23 gusht 2016 me titull: Vdekja e Ardit Gjoklajt zbulon kantierin çnjerëzor në landfillin e Sharrës

Kantieri çnjerëzor

Trupi i Ardititit u gjet i masakruar mesditën e 7 gushtit te vitit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic.

Sipas hetimeve të kryera ne ate kohe, Ardit Gjoklaj ishte punonjës sezonal, i paregjistruar në kompaninë “3R” shpk dhe që mbeti i vdekur si pasojë e goditjes aksidentale nga një ekskavator, në mungesë të kushteteve të sigurisë në punë.

BIRN mësoi atëherë se Ardit Gjoklaj nuk ishte as punonjësi i vetëm i mitur dhe as i vetmi i paregjistruar dhe i pasiguruar nga kompania “3R” shpk.

Një numër i madh punonjësish ishin rekrutuar në të zezë, punonin në mungesën totale të kushteve të sigurisë dhe ndryshe nga ç’u premtua më parë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk ishin të pajisur as me libreza pune dhe as me libreza të sigurimeve shoqërore.

Punonjës apo ish-punonjës të kompanisë “3R” shpk i thanë BIRN në intervista të veçanta se fëmijë, burra dhe gra-pjesa më e madhe e të cilëve nga komuniteti rom punonin në kushte çnjerëzore dhe në mungesë të mjeteve mbrojtëse në mes të plehrave, shkruhej në shkrimin e BIRN.

Nën administrimin e Bashkise Tirane

Landfilli i Sharrës ishte nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Por në shkurt 2016, kompania “3R” shpk me seli në Peqin instaloi një impiant për seleksionimin dhe menaxhimin e mbetjeve në landfill. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se kjo kompani ishte pjesë e një ingranazhi më të madh që po përgatitej nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e mbetjeve.

Para vdekjes tragjike të Ardit Gjoklaj, impianti i kompanisë “3R” shpk në Sharrë u vizitua dy herë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill, të transmetuar me datë 16 qershor 2016, Veliaj lançonte planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që sigurojnë bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me “sigurime shoqërore”.

Ftesa e Veliajt, sipas intervistave të realizuara nga BIRN shërbeu si nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania “3R” shpk. Në të kundërt, asnjë prej standarteve të premtuara nga Veliaj nuk u aplikua gjatë procesit të punës.

E vënë nën presion publik pas vdekjes së 17 vjeçarit, Bashkia e Tiranës refuzonte asokohe të sqarojë marrëdhëniet e saj me kompaninë “3R” shpk.

Për familjen Gjoklaj në lagjen e Kombinatit në Tiranë, drejtësia nuk është vendosur. Fran Gjoklaj, xhaxhai i Arditit i tha BIRN pas ngjarjes tragjike se ata i kishin përjetuar si një vrasje për së dyti deklaratat që sugjeronin se nipi i tij nuk ishte punonjës i landfillit të Sharrës.

Fotografia me prokurorin Fusha

Një nga akuzat më të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj është edhe ajo për ndërhyrjen ne hetimet e prokrurorisë për vdekjen e Ardit Gjoklaj në vitin 2016, në landfillin e Sharrës. Erion Veliaj u fotografua gjatë hetimeve të çështjes nën shoqërinë e ish prokurorit të çështjes Petrit Fusha. Pak më vonë opozita dhe mediat akuzuan Veliajn se në këmbim të mbylljes së çështjes Gjoklaj, ai i akordoi kompanisë Fusha shkp, e afërt me prokurorin Petrit Fusha tenderin 20 milionë euro për ndërtimin e sheshit Skëndërbej.

5 vjet pandëshkueshmëri!

5 vjet nga vrasja në landfillin e Sharrës ende nuk ka të ndëshkuar.

"Prova mbetet. Erion Veliaj i fotografuar duke drekuar me prokurorin e çështjes!
A nuk është kjo "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike"?
A nuk ishte vetë Veliaj, me zë e figurë, që promovonte punësimin e të rinjve në të zezë në landfillin e Sharrës? A nuk është sot inceneratori i Tiranës një ndër aferat korruptive më skandaloze, e cila rëndon çdo ditë me dhjetëra mijëra euro xhepat e taksapaguesve të Tiranës?
PD, të rinjtë e FRPD, shoqëria civile, mediat dhe çdo prind shqiptar, duhet të vazhdojnë të kërkojnë parreshtur drejtësi për Arditin" shkruan Belind Kelliçi në një postim në facebook. 

Drejtësi për Arditin.