Fillon për herë të parë regjistrimi i pronave në Dhërmi
Regjistrimi i pronave në zonën bregdetare ka marrë një vëmendje të shtuar në këto muaj.
Pas Iliasit dhe Gjilekës, procesi është në përfundim në Vuno me 1700 prona dhe Dhërmi me 800 pasuri në përfundimin e procesit të regjistrimit të pronave.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame së bashku me kryetarin e bashkisë Himarë, Gjergji Goro kanë dorëzuar në mënyrë simbolike certifikatën e parë të pronësisë së banesës dhe të truallit qytetarit Odise Anagnosti.
"Procesi ka filluar që vitin e kaluar për të gjitha zonat e bregdetit të jugut. Banorët e Vunoit të aplikojnë nga e hëna për marrjen e certifikatës së pronës, për banesat dhe për pronën bujqësore," tha Lame.
Ndërkohë Lame dha lajmin tjetër edhe për Dhërmiun, ku u bë shpallja e rezultatit dhe afishimi publik për rreth 800 prona te këtij fshati.
"Në këto fshatra po bëjmë edhe regjistrimin për herë të parë në historinë e tyre 100, 200 apo 400 vjeçare. Po bëhet dhe regjistrimi i shtëpive të vjetra," tha ai.
Regjistrimi i pronave në zonën e fshatrave të Bregut po bëhet për herë të parë në histori, pasi nuk është trashëguar asnjë regjistrim as nga koha e mbretit Zog dhe as nga koha e regjimit komunist.
"Aplikimi bëhet në e-Albania dhe automatikisht po në linjë elektronike merret certifikata e pronësisë," tha Lame.
