PD kujton 5 vjet pa Ardit Gjoklajn! 5 vjet pandëshkueshmëri!
Demokratët kujtojnë përvjetorin e vrasjes së Ardit Gjoklajt në Tiranë.
Trupi i Ardit Gjoklajt u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic.
Kanë kaluar 5 vjet dhe pandëshkueshmërie thonë demokratët
Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka reaguar me një shënim në faqen e tij në facebook në përvjetorin e vdekjes së Ardit Gjoklajt.
"5 vjet pa Ardit Gjoklajn!
5 vjet pandëshkueshmëri!
Prova mbetet. Erion Veliaj i fotografuar duke drekuar me prokurorin e çështjes!
A nuk është kjo "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike"?
A nuk ishte vetë Veliaj, me zë e figurë, që promovonte punësimin e të rinjve në të zezë në landfillin e Sharrës? A nuk është sot inceneratori i Tiranës një ndër aferat korruptive më skandaloze, e cila rëndon çdo ditë me dhjetëra mijëra euro xhepat e taksapaguesve të Tiranës?
PD, të rinjtë e FRPD, shoqëria civile, mediat dhe çdo prind shqiptar, duhet të vazhdojnë të kërkojnë parreshtur drejtësi për Arditin.
Familja Gjoklaj kërkon drejtësi.
E kujtojmë Arditin për jetën e tij të ndërprerë, për sakrificën për t'i ardhur në ndihmë familjes dhe dëshirën për t'u arsimuar.
Qoftë i paharruar!"

Edhe Ina Zhupa ka kujtuar sot nëpërmjet një komenti e një fotomontazhi Ardit Gjoklajn që u nda nga jeta 5 vjet më parë në landfillin e Sharrës.
"5 vjet nga vrasja e Ardit Gjoklajt në Landfillin e Sharrës! Kujtojmë Arditin dhe nuk do rreshtim kurrë të kërkuari drejtësi për të dhe të denoncuari çdo projekt korruptiv dhe kur propagandohet si sukses në çdo media dhe investohen personalisht nga kryeministër dhe kryetar bashkie.
Fajtorë ende nuk ka! Drejtësi ende nuk ka! Arditi është vrarë dy herë, herën e dytë e vrau drejtësia që nuk dënoi asnjë fajtor.
Mos flisni për reformë në drejtësi kur vrasësi i Arditit është i lirë! #drejtesipërArditin"