Fier, ambulanca si kotec, s'ka ujë as drita. Dërrasat zevëndësojnë krevatin
Fshati Peshtan i Vogël në Fier prej vitesh vuan mungesën e investimeve. Banorët ankohen për ujin dhe infrastrukturën, ndërsa ambulance e fshatit mbetet në gjendje skandaloze.
Duket si një ndërtesë e braktisur, por kjo është ambulance e fshatit Peshtan i Vogël në Fier.
Dallëndyshet kanë ngritur fole, dhe muret janë amortizuar si dëshmi e harresës së institucioneve.
Infermierja që shërben në këtë qendër shëndetësore tregon që askush nuk ka vënë dorë prej vitesh, ndërsa thotë se aty mungojnë gjërat elementare.
“Po bëj 8 vjet që po bëj shërbim në këtë ambulancë dhe nuk ka asnjë kusht këtu. Drita nuk ka ujë nuk ka. Çfarë vjen nga Zoti bie brenda.”
Të sëmurët nuk ka ku t’i vizitojë, ndaj ajo mundohet t’ja dalë me mjete rrethanore.
"S'kam ku ta shtrijë ku ta vizi6tojë bebin e vogël”
Por jo vetëm qendra shëndetësore, banorët e Peshtan flasin për një neglizhencë totale në shërbime.
Ata thonë se nuk kanë as ujë të pijshëm, e as rrugë.
“Nuk ka ujë, unë hapa pus. Kanë bërë një pus që nxjerr llum dhe nuk bën për asgjë.”
Mungesa e kushteve për jetesë, e shërbimeve dhe e infrastrukturës ka bërë që fshati me 580 banorë të boshatiset nga dita në ditë.

