Telefonata e fqinjëve shpëtojnë gruan në plazhin e Durrësit, grabitësi i hyri me forcë në banesë dhe po e dhunonte

Një telefonatë ka shpëtuar një grua nga grabitësi i cili kishte hyrë në banesën e saj. 

Ngjarja është shënuar në lagjen nr 13 Plazh, të Durrësit.

27 vjeçari ka hyrë në banesën e shtetases M. B., e ka goditur atë me grushte dhe nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), ka tentuar të vjedhë para në shtëpinë e saj informon policia e Durrësit.

Gruaja jetonte me qira në atë banesë. Falë telefonatës kanë ndërhyrë Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe kanë arritur ta arrestojnë në flagrancë 27 vjeçarin e identifikuar me inicialet D.T

Kanë qenë fqinjët që kanë dëgjuar zhurmë dhe kanë telefonuar policinë.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas marrjes së informacionit se në një banesë në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, një shtetas po tentonte të vidhte me dhunë, menjëherë kanë mbërritur në adresën e dhënë, ku bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. T., 27 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pasi është futur me forcë në banesën ku jetonte me qira shtetasja M. B., e ka goditur atë me grushte dhe nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), ka tentuar të vjedhë para në shtëpinë e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti i mprehtë (thikë)” informon policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale "Vjedhja me dhunë".