Kapiteni Italian nën akuzë për ndotjen e detit në Durrës
Tragetet dhe kroçerat që udhëtojnë në brigjet shqiptare vijojnë të ndotin ujërat duke derdhur mbetjet në det.
Rasti flagrant më i fundit është shënuar brenda basenit të Portit të Durrësit.
Një traget pasagjerësh i linjave me italianë sipas policisë ka derdhur aty mbetjet e pastrimit të mjetit lundrues, duke shkaktuar ndotje në zonën e terminalit!
Këto veprime do ti kushtojnë përballje me drejtësinë shqiptare kapitenit italian të tragetit.
Policia e Durrësit pas marrjes së informacionit ka vënë nën hetim 43 vjeçarin Italian me akuzën “Ndotje e Ujërave"
Dosja tashmë i ka kaluar prokurorëve që do të kenë detyrën ta cojnë kapitetin italian para drejtësisë shqiptare.
Në vazhdimësi këtë sezon veror ka pasur denoncime për ndotjen e ujërave territoriale shqiptare nga tragetet ose mjete të tjera lundruese.
Pamjet e mbërritura në Ora News nga pushues tregojnë këtë fenomen në plazhin e Borshit.
Sipas tyre ky fenomen është kthyer në shqetësim serioz këtë sezon veror, ndërsa autoritetet shtetërore deri më tani nuk kanë njoftuar masa ndaj anijeve të huaja.
Ekspertët që në vazhdimësi kanë ngritur këtë shqetësim thonë se anijet zgjedhin të shkarkojnë mbetjet hidrokarbure dhe organike në det, për të shmangur pagesën që duhet të bëjnë në porte.
