“Ballkan i Hapur”/ Zeka: Kurti të ndryshojë sjellje, Vuçiç në mënyrë indirekte po pranon Kosovën

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, gazetari Milaim Zeka, ka komentuar “Forumin Ekonomi” më 29 Korrik në Shkup, ku të pranishëm ishin tre liderët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.

Zeka është shprehur se nisma ‘Ballkan i Hapur” është një lajm shumë i mirë, pasi ka qenë ëndërr që qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e rajonit.

Ai shprehet nëse shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë bëhen bashkë, do jemi kombi më i madh në Ballakn dhe për këtë arsye sipas tij nuk duhe t’i frikësohemi konkurrencës të tregut të lirë edhe me Serbinë.

"Unë e konsideroj dhe jam tepër i bindur që ky është një lajm tepër i mirë për qytetarët e gadishullit ballkanik, pasi ka qenë një ëndërr e motshme e të gjithë neve me lëvizë të lirshëm të paktën nëpër këto vende. Tani varet se në cilin këndvështrim njeriu e shikon një situatë të tillë. Nëse e shohim nga prizmi i patriotizmit primitive ballkanik, kjo shihet si një inciativë e dëmshme për Kosovën, nëse shihet nga prizmi i Skandinavisë, ky është një hap i jashtëzakonshëm. Ka pas demonstrata edhe përpara ambasadës së Kosovës në Stokholm në periudhën kur po diskutohej çështja e miratimeve të demarkacionit me Malin e Zi. Këto protesta janë thjesht të atyre njerëzve të cilëve nuk u intereson për qytetarin e Republikës së Kosovës se a ka drita dhe a ka ujë e punë, por këta janë njerëz që ushqehen me ato fraza boshe të politikanëve ballkanikë, të cilët mbi politikën mbijetojnë dhe përfitojnë. Ne  dimë që synimi I të gjithë këtyre vendeve është hyrja në BE.

Hyrja në BE nënkupton në mënyrë automatike zhdukjen e doganave. Shteti i Kosovës edhe qeveria shqiptare jetojnë vetëm nga doganat duke i rrjepur qytetarët të cilët hynë dhe dalin nga këto vende. Si mund të kemi ne ëndërr hyrjen në BE kur e dimë që do zhduken doganat? Një polic serb e çuan patriotizëm maltretimin e qytetarëve të Kosovës duke i lënë me ditë të tëra për të prit doganat e këtyre vendeve. Konkurrenca ekonomike është mëse e arsyeshme që të kemi një konkurrencë. BE frikën më të madhe nga Kina e ka për shkak të konkurrencës ekonomike. Edhe ne do të kemi konkurrencë tregu me Serbinë, por nëse shqiptarët bashkohen gjithë, do jemi kombi më i madhe në Ballkan, duke pasur parasysh shqiptarët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë. Kështu që ne nuk duhet t’i frikësohemi fare konkurrencës të tregut të lirë edhe me Serbinë."

Sipas Zekës, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet të ishte i pranishëm në Shkup për inat të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.  Ai shton se Kurti duhet të ndryshojë sjellje, ndërkohë thekson se në mënyrë indirekte, Vuçiç ka filluar të pranojë shtetin e Kosovës.

"Nuk e kam kuptuar reagimin apo mospjesëmarrjen e Kryeministrit Kurti në këtë nismë, ai për inat të Vuçiç duhet të ishte në forumin e këtij Mini-Shengenit në Shkup. Askush nuk e detyron Albin Kurtin që të nënshkruaj një dokument për të cilën ai konsideron që do të dëmtohej Kosova. Albin Kurti ka ardhur në pushtet përmes mohimit të gjithçkaje. Ka ardhur në pushtet përmes luftës gjoja për Bashkim me Shqipërinë. Pastaj kur erdhi kryeministër e harroi edhe bashkimin kombëtar dhe të gjithë të kaluarën e tij. Mendoj se sjellja e tij prej kryeministri duhet të ndryshojë dhe nëse dikush do ta ndiente veten nësiklet për të marrë pjesë në forumin e Shkupit, do duhet të ishte Presidenti serb Vuçiç dhe në asnjë mënyrë Kurti. Vuçiç duke mos refuzuar Kosovën dhe Albin Kurtin në mënyrë indirekte, ka filluar të pranojë shtetin e Kosovës."-shprehet ai. 

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.