"Zjarret" shteti do kontraktojë edhe privatin: Edhe 3 helikopterë sot drejt Karaburunit, fqinjët s’na ndihmonjë dot
Komiteti i Mbrojtjes Civile miratoi autorizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile e Ministrisë së Mbrojtjes për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me subjekte private apo nga jashtë vendit.
Procedura do të nisë sot duke kontraktuar operatorë të tjerë për t’i vënë në dispozicion 3 helikopterë të cilët do të luftojnë me flakët në Karaburun.
“Kemi diskutuar dhe marrë vendim, të cilin po e them tani për herë të parë, që t’i japim mundësi strukturave tona dhe konkretisht Agjensisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi por edhe burime financiare shtesë për të marre shërbim nëse do të jetë e nevojshme nga shtetet fqinj, nga operatorët privatë, nga të gjithë kapacitëtet që janë në dispozicion.
Duhet të shmangim me çdo kusht përhapjen e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë” tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile e cila u mbajt pas mesnatës duke u gdhirë e marta (3 gusht)
Aksioni sot ne Karaburun
Në orët e para të mëngjesit, komandanti bashkë me trupat e tij ne 4:00 të mëngjesit ishte parashikuar nisja drejt zonës së pyllit mbi Dukat.
“Do të ecin 4-5 orë aty ku është vatra dhe për të parë se cilat metoda janë më të përshtatshme për t’u aplikuar për shmangien e përhapjes së zjarrit drejt Parkut të Llogarasë, që nuk duhet të lejohet me asnjë mënyrë. Do të përdorim edhe neser gjatë ditës helikopterë nga operatorë të tjerë veç mjeteve që kemi ne në dispozicion dhe shprësojmë që gjatë ditës së nesërme besoj do të jenë tre helikopterë në përdorim deri pasditen e vonë por nuk është se helikopterët janë zgjidhja përfundimtare” tha më tej ministri.
Deri dje vetëm 1 helikopter
Zjarret në Karaburun vijojnë prej ditësh madje në një moment u bënë dhe kërcënim për bazën ushtarake të Pashalimanit.
Deri dje në dispozicion për shuarjen e flakëve në Vlorë ka qenë 200 forca dhe vetëm një helikopter I FA i cili ka pasur 93 fluturime. Helikopteri është me kapacitet 2000 litra ujë.
Fqinjët në vështirësi për vete
Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë nga vendet fqinje dhe Turqia por fakti që ato po përballen me zjarre edhe më të mëdha e bën të pamundur.
“ Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinj sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë ku sot kam folur me Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë patur mundësi të na pergjigjen menjëherë por gjithësesi jemi në rradhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet.”