Ozuni: 2.2 mln turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri nga maji, fluks nga Serbia e Maqedonia

Rreth 2.2 milionë turistë të huaj përllogariten të kenë hyrë në vendin tonë që nga mesi i majit dhe deri sot. Shifrat bëhen me dije nga specialisti i turizmit Feriold Ozuni, edhe pse jo ende zyrtare.

Ozuni: Presim statistikat zyrtare por nga ajo që shohim numri i turistëve është shumë herë më i madh se vjet por i pakrahasueshëm me 2019. Diskutohet që nga mesi i muajit maj deri në këto momente shifrat të kenë arritur 2.2 milionë turistë të huaj në Shqipëri, heqim ata që vijnë për biznes, pra turistë që kalojnë minimalisht një natë qëndrimi në Shqipëri.

Në një intervistë për Ora News me gazetaren Siklajda Shorja, Ozuni tha se këtë verë rekord turistësh ka pasur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës që si gjithmonë mbajnë pjesën e luanit në turizmin shqiptar.

Ozuni: Fluksi më i madh i hyrjeve është nga pika kufitare me Kosovën. Por duhet theksuar se sivjet kemi një numër të theksuar turistësh nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kemi numrin më të madh të turistëve serbë në Shqipëri.

Sipas Ozunit, stepja e pushuesve vendas në fillim të sezonit u tejkalua dhe duket se do të jetë një verë e mbarë për turizmin.

Ozuni: Jemi më se të kënaqur nga pritshmëritë që kishim, janë tejkaluar. Jemi nga vendet e hapura që i japim mundësi çdokujt që të vijë të kalojë pushimet në Shqipëri. Nga turistët shqiptarë erdhi stepja për shkak të problematikave si zjarrvënia e shezlongeve, vrasjet. Kjo erdhi edhe e kombinuar me çmimet që shfaqeshin në media. Kurse turistët e huaj kanë qenë në rritje.