Bashkia e Fierit i vuri zjarrin fushës së mbetjeve për ti shpëtuar transportit?! Baçi: Prokuroria ta shpallë skenë krimi dhe të hetojë
Nga fushëmbetja e Fierit nuk ka më flakë por tymi dhe bloza vijon të shpërndahet në zonë në ditën e pestë të emegjencës mjedisore.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Fierin, Luan Baçi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj kërkon nga Prokuroria ta shpallë zonë krimi dhe të nisë menjëherë hetimet.
Luan Baçi: Isha aty para një ore te vendngjarja, do ta quaja skena e krimit. Normalisht prokuroria duhet ta kishte shpallur skenë krimi dhe të kishte vënë shiritat për të filluar hetimet. Është një krim makabër dhe dëm mjedisor shumë i madh. Sot është dita e pestë që Fieri është në pushtetin e blozës, të tymit, të flakës. Sot nuk ka më flakë por vetëm tym e blozë për arsye se është punuar gjatë këtyre ditëve me mjete të ndryshme për ta mbuluar me dhe dhe baltë atë djegie masive të mbetjeve urbane.
Baçi hedh dyshime se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme nga ana e bashkisë së Fierit dhe këtë e lidh me koston e lartë të transportit për të depozituar mbetjet urbane në incenerator.
Ai nënvizon se dëmi ndaj qytetarëve në shëndetin e tyre dhe në kulturat bujqësore është i pallogaritshëm në një plan afatgjatë.
Luan Baçi: Skena e djegies së mbetjeve te fushëmbledhësi i mbeturinave urbane është e përsëritur, edhe herë të tjera por në një masë të vogël dhe kjo kaq të madhe që është skandaloze. Edhe më parë qytetarët akuzonin kur atje binte zjarr se kishte një zjarr të qëllimshëm. Nga grumbullimet e mëdha dhe derdhjet e të gjitha mbeturinave aty shpesh herë krijohej një kapicë e madhe dhe nuk kishin ku ti hidhnin më dhe u vinin zjarrin. Ndoshta dhe këtë radhë ka ndodhur e njëjta situatë. Ka ditë që inceneratori duhet të ishte vënë në punë sipas premtimit kryeministror, që në 20 dhjetor 2020, jemi në gusht 2021 dhe nuk është vënë në punë. Në kontratat e tyre duhet që gjithë këto mbetje urbane të thitheshin te inceneratori dhe të digjeshin aty. Me të drejtë ngremë pyetjen pse tani 1-2 muaj para i vihet zjarr mbetjeve dhe digjen aty ditë të tëra. Për ti çuar te inceneratori kostot janë shumë të mëdha, masivi i madh i mbeturinave aty ka kosto të madhe. Për këtë arsye prokuroria duhet menjëherë të nisë hetimet. Bashkia përfiton sepse është ajo që bën transportin e mbetjeve urbane te inceneratori. Këto janë dyshime dhe është detyrë e organeve ligjzbatuese që menjëherë të nisin hetimin. Duhet parë dhe dëmi që i është shkaktuar qytetarëve fierakë, një dëm afatgjatë që do të ketë pasoja në shëndetin e tyre, duke mos lënë pas dore prodhimet bujqësore, blegtorale të fermerëve që po pësojnë një dëm të pallogaritshëm dhe janë të pashitshme më në treg.
Ndërkohë ai mohoi akuzat e kreut të bashkisë Subashi se Partia Demokratike në Fier dhe këshilltarët e saj bashkiake janë bërë pengesë dhe kanë vonuar ndërtimin e inceneratorit.
Luan Baçi: Pronarët e inceneratorit kanë thënë që kanë qenë të gatshëmn që në fund të majit për të pritur mbetjet. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë proponcim nga bashkia pse nuk ka filluar transporti. Kush e mban përgjegjësinë për këtë katastrofë mjedisore? Kreu i Bashkisë thotë na ka vonuar PD në 2015-2016 për ndërtimin e inceneratorit. Gënjen dhe mashtron kur thotë që këshilltarët e PD në Fier kanë qenë kundër shpalljes së emergjerncës mjedisore. Subashi ka nxjerrë një foto me këshilltarët bashkiakë me kartonin e kuq, ne kemi votuar kundër ndërtimit të inceneratorit në Portëz dhe pro emergjencës mjedisore. Ata vazhduan me këmbëngulje dhe e ndërtuar në Vërri të Mbrostarit.
