Ekskluzive/ Berisha: Yuri Kim, sulm të hapur politik ndaj meje. PD parti sovrane. Fraza e barit nuk ka ardhur nga SHBA
Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se është i gatshëm të marrë çdo vendim nëse ka fakte që ai ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar familjen.
Berisha e quan 'sulm të hapur politik" deklaratën e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim bërë sot pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe i kujton se PD e Shqipëria është vend sovran dhe janë zgjedhësit që vendosin kush hyn në parlament e jo ajo.
Pjesë nga intervista dhënë mbrëmjen e sotme në studion e lajmeve të RTV Ora, me gazetaren Beti Njuma.
RTV Ora: Zoti Berisha deklaroni se zonja Kim ka dhunuar në mënyrë flagrante misionin e saj.
Sali Berisha: Padiskutim. PD është forcë Sovrane. Shqipëria është vend Sovran. Askush nuk ka të drejtë mbi to, veç zgjedhësve shqiptarë të përcaktojë në parlament. Ai është një sulm i hapur politik.
SHBA është miku më i madh i Shqipërisë, dhe unë jam gati të marr çdo vendim nëse paraqitet një fakt i vetëm që të faktojë se Sali Berisha ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar veten, bashkëshorten e tij që ka 14 vjet që punon pa rrogë e asnjë shpërblim për fëmijët autikë, apo fëmijët e tij që kanë 8 vite që kntrollohen çdo muaj nga zyrtarët e Edi Ramës.
Është një deklaratë e cila nuk ka asnjë fakt, argument, document që mund të provohet, prandaj i jam drejtuar Gjykatës Korreksionale në Paris. Shpresoj që ajo të japë verdiktin e saj për shpifje.
RTV Ora: Megjithatë deklarata e ambasadores amerikane është në sintoni me qëndrimin e DASh, vendimin e Blinken.
Sali Berisha: Pa diskutim. Nuk them se jo, por nuk besoj se DASH i ka dhënë frazën e barit, se është një frazë tipike e diktatorit. Nuk besoj se ka ardhur nga SHBA kjo frazë. Është frazë e shokëve të këtushëm.
Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ishte sot në selinë e PD-së për ti kërkuar Bashës që ish kryetari i PD, Sali Berisha të mos jetë në parlament në shtator.
