Tenderi i uniformave të policisë, Gjykata e Posaçme lë në burg 8 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme
Nëntë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Mistrisë së Brendshme, të akuzuar për abuzim me tenderin prej 2,8 miliardë lekë të pajisjes së policisë me uniforma kanë humbur betejën e dytë ligjore me Gjykatën. Gjykata e Posaçme vendosi të mos e ndryshojë masën e arrestit me burg që dha ndaj tyre pak javë më parë.
Argumentet e tyre për pafajësi nuk bindën sërish Gjykatën e Posaçme, që la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 prej tyre dhe atë të “arrestit të shtëpisë” për një tjetër, të dhënë në seancën gjyqësore të 12 korrikut.
SPAK akuzon të dyshuarit për “shkelje të barazisë në tendera”, përmes ndryshimit të kushteve e kritereve të tenderit dhe favorizimit të një prej kompanive garuese. Sipas dosjes së prokurorisë, procedura e tenderit “Blerje e shpërndarjeve e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, duhet zhvillohej në tre pjesë, por është bashkuar në një të vetme nga zyrtarët e dyshuar.
Prokurorët e SPAK kanë zbardhur gjithë korrespondencën e mbajtur nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ku ka rezultuar që gjatë procedurës janë bërë ndryshime të specifikimeve teknike, çka është reflektuar në ndryshim të cilësisë dhe sasisë dhe kostos së prodhimit dhe shpërndarjes, por jo të fondit limit të parashikuar.
