Rritje e paarsyeshme e çmimeve, ankohen konsumatorët: Produktet kushtojnë 30-40 lekë më shumë
Rritja e paarsyetuar e çmimeve të ushqimeve bazë është pritur me kritika dhe pakënaqësi nga ana e qytetarëve. Këta të fundit shprehen se disa produkte sot kushtojnë 30 ose 40 lekë më shumë se disa javë më parë. Institucionet nga ana tjetër e kanë konfirmuar situatën ndërsa kanë paralajmëruar ndërhyrje përmes gjobave në subjektet që do të kapen në shkelje.
Kjo është shporta e ushqimeve me disa produkte bazë që mund të blihet me 50 mijë lekë të vjetra. Në fakt javët e fundit është vënë re një rritje e vazhdueshme e çmimeve të disa produkteve të tilla si vaj, vezët, djathi,qumështi kosi etj. Qytetarët e konsiderojnë rritjen e çmimeve të pajustifikueshme.
Një rritje me 30 deri në 40 lekë e disa produkteve të konsumit të përditshëm ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët.
Çmimet e produkteve bazë të shportës, thonë qytetarët, janë të papërballueshme për ekonomitë e tyre familjare.
"Të gjitha çmimet janë rritur. Me 20-30 lekë më shumë. Vetëm në Shqipëri ndodh një gjë e tillë."
Edhe të huajit shprehen se në Shqipëri ka çmime tejet të kripura e që nuk janë në raport me pagat e pensionet.
"Andej me 100 euro mbush një karrocë, këtu as gjysmën. Janë shtrenjtuar shumë në bazë të rrogave."
Kërkohet që nga autoritetet përkatëse të ndërmerren masa dhe të kthehen çmimet në nivelet e mëparshme.
"Të hetojnë këto çmimet se ka institucione dhe të ndërhyjnë."
Edhe statistikat e indeksit të çmimeve konfirmojnë se në krahasim me vitin e kaluar vijnë në një rritje me 2.1% ku ndikimin më të forte e ka grupi i ushqimeve.
Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit i ka cilësuar shtrenjtimit të paarsyetuara ndërsa është paralajmëruar gjobitja e subjekteve që do të kapen në shkelje.