Operacioni tek Varri i Bamit: Burg për 4 të arrestuar, shpëton shoferi, skema si shitej droga

Gjykata e Tiranës la në burg 4 nga të arrestuarit e operacionit që u zhvillua në zonën e Varrit të Bamit, ndërsa ka lënë në arrest shtëpie një prej tyre.

Në qeli janë lënë Erjon Prenga, Altin Gega dhe Taulant Çoku, Gentian Kore. Ndërkohë për Gazmir Canin, i riu i cili i iku në mënyrë spektakolare Policisë, duke rrezikuar jeten e efektiveve u la në 'arrest shtëpie' nga Gjykata e Tiranës.

Nga hetimet, dyshohet se këta persona përdornin biznesin Gentian Kores për sjelljen e lëndës narkotike dhe më tej ndarjen e saj në doza më të vogla dhe shpërndarjen në disa pika të kryeqytetit.

Ky biznes ishte në pronësi të shtetasit Gentian Kore, ndërsa sasia e lëndës narkotike sillej nga dy persona me motor brenda kutive të picave.

Në momentin që efektivët e antidrogës kanë ndërhyrë 4 të hetuarit janë larguar me shpejtësi, ndërsa lënda narkotike është gjetur në brendësi të dy kutive të picave, e fshehur poshtë një makine.

Ndërhyrja e policisë u bë virale në rrjetet sociale, kjo për shkak se efektivët e policisë gjatë operacionit nuk ndaluan dot një makinë me xhama të zinj që ishte pranë vendit të ngjarjes, si dhe dhunës së shfaqur ndaj gazetarit Ergys Gjençaj, i cili po filmonte skenën.

Për këtë episod ka nisur edhe një hetim nga ana e SHÇBA dhe Prokurorisë, ku do të shihen veprimet e efektivëve të policisë. Sakaq në operacionin e quajtur “Xhamlliku” u sekuestruan 1 kg e 128 gr lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celulare.