Intervista e plotë/ Sali Berisha: Misioni im në Kuvend. "Guvernatorja" Yuri Kim duke mbështetur Ramën po dëmton Shqipërinë
Mesditën e nxehtë të 30 korrikut 2021 selinë blu e vizitoi ambasadorja amerikane, Yuri Kim për t’i kërkuar kryetarit të PD-së Lulzim Basha që të distancohet qartë nga ish lideri i saj Sali Berisha.
Edhe në një deklaratë publike për median, pas këtij takimi, ambasadorja e SHBA-së bëri të qartë se ish kryeministri Sali Berisha nuk duhej të ulej në Kuvend. Madje deklaroi se do të ishte “një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”
Por, disa orë më pas, ish kryeministri Sali Berisha në një intervistë ekskluzive në studion e lajmeve të RTV ORA, me gazetaren Beti Njuma akuzoi ambasadoren e SHBA-së se po drejton një sulm politik të iniciuar nga Tirana dhe jo DASH. Ai u shpreh i vendosur se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetit i fituar nga zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Berisha akuzoi ambasadoren e SHBA-së se po fyen popullin shqiptar duke u sjellë si guvernatore, ndërsa mbëshetja që po i jep ajo Ramës po dëmton Shqipërinë. Nga ana tjetër Rama po e shfrytëzon këtë mbështetje për të luftuar opozitën.
Tregoi telefonatën me Bashën pas takimit të Yuri Kim në selinë blu si dhe i bëri thirrje DASH të shtojë presionin mbi Edi Ramën dhe të bëhet vetingu i politikanëve. Madje për ta sfiduar tha se ishte gati të niste vetingu nga vetë ai e familja e tij.
Jam njeriu i miliona votave të shqiptarëve
RTV ORA: A do ta sakrifikoni PD dhe marrëdhëniet e saj me SHBA duke shkuar në parlament në shtator?
Sali Berisha: PD do e sakrifikoja nëse do pranoja një akuzë të bazuar në shpifje e trillime e mashtrime. PD do e tjetërsoja nëse nuk do të mbroja dinjitetin tim e jo vetëm të çdo demokrati dhe çdo shqiptari që i thotë nderit nder e dinjitetit dinjitet. Mos harro se në 30 vite jam njeriu i miliona votave të shqiptarëve. Më shumë se kushdo tjetër në historinë e këtij vendi. Në këtë kontekst nuk kam asgjë personale sa e kam partiake dhe kombëtare. Nëse unë do të tërhiqesha ndaj një vendimi të cilim e kam theksuar dhe e theksoj i bazuar në keqinformimin e sekretarit Blinken nga lobimi i mirëfilltë korruptiv i Edi Ramës dhe George Soros, për mua një armik i demokracisë dhe kombit shqiptar.
Soros futi OJQ-të dhe Reformën në Drejtësi nën ombrellën e PS-së
RTV ORA: Përse e lidhni këtë histori me George Soros?
Sali Berisha: Sepse kjo histori ka nisur me George Soros. Ka nisur me kundërshtimin tim të prerë që bazohej në ndarjen e shkëmbimin e territoreve në Kosovë me Serbinë. Një projekt që president i Serbomadhisë Aleksandër Vuçiç deklaroi në 2019 në Leposaviç se me këtë projekt se Serbia bëhet më e madhe. Isha i pari që e kundërshtova këtë projekt. Më pas dhe liderët e tjerë të Kosovës. Dua të theksoj se një rol të rëndësishëm luajti dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj e zonja Osmani e politikanë të tjerë. Sot ky projekt është arkivuar, madje sanksionuar dhe në dekretet e presidentit Biden, se ata që synojnë integritetin e vendit tjetër do përballen me sanksione.
Më pas Edi Rama, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, shëtisnin nga një vend në tjetrin me projekt duke thënë se ka një ujdi të përgjithshme, por në të vërtetë përveç Thaçit në Prishtinë, Ramës që ishte promotor kryesor në Tiranë, asnjë forcë politike shqiptare, asnjë institucion shqiptar në këto dy vende nuk përkrahnin projektin. Këta mashtrues u thanë atyre që kishin mashtruar se këtë e bëri Sali Berisha.
Se ai konspiroi me udhëheqjen politike të Kosovës. Dhe unë mbi bazën e këtij konspiracioni u futa në procesin e black listimit (listën e zezë) që Edi Rama e shpalli publikisht më 31 janar 2019.
Pra, nuk jam unë që akuzoj pa baza George Soros. Natyrisht unë jam njeriu që kam akuzuar, denoncuar dëmet e jashtëzakonshme që i ka bërë Shqipërisë, qoftë me vendosjen e të gjithë OJF-ve nën ombrellën e PS-së, duke rikthyer një monizëm të vërtetë në shoqërinë civile. Kam denoncuar dhe do të denoncoj rolin e tij për vendosjen e drejtësisë shqiptare në varësi të plotë të PS-së. Reforma e drejtësisë u iniciua siç pranohet universalisht nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Truri i saj u përzgjodh nga Fondacion i Shoqërisë së Hapur. Ligjet e saj me të cilat Edi Rama pasi dështoi me paketën kushtetuese u miratuan nga truri i reformës.
Unë kam qen vokal, sikundër kam qenë vokal ndaj akteve korruptive të Ramës për kompanitë e naftës, ndaj kompanive të naftës të George Soros.
RTV Ora: SHBA, DASH ju akuzojnë ju për korrupsion madhor. Përse u përshkallëzua kjo marrëdhënie me SHBA e ambasadën amerikane aq sa zonja Kim të bënte sot këtë deklaratë të fortë?
Sali Berisha: Sepse siç thotë vetë DASH, burimet e informacionit sekretari i Shtetit për vendimin që ka marrë i ka nga OJF-të lokale, rajonale e ndërkombëtare, të gjitha të sponsorizuara nga George Soros. Ju kujtoj në 2009 kur BB lëshoi një raport kundër qeverisë shqiptare, bazuar në OJF e Sorosit dhe u detyrua pastaj të vinte zv/ presidenti Bankës të kërkonte ndjesë publike para shqiptarëve për akuzën që kishte bërë ndaj Sali Berishës.
Për të mos përmendur Griseldën. Si sajuan rastin Griselda edhe në PE. Kur zonja Tanja Fajon po demaskonte Berishën për barbaritë ndaj njerëze të tij që kishin kryer një deputet tjetër i parlamentit u ngrit e tha kjo ka qenë e tëra fake. Në këtë kontekt OJF-të janë të tëra të Sorosit që kanë prodhuar shpifje e trillime të vazhdueshme
Raportet e mediave. Dihet kur ne kemi qenë në pushtet përfaqësues të SHBA-së deklaronte se 80% të mediave i kontrollonte Edi Rama. Lë pastaj sa kontrollon Edi Rama në pushtet. Së fundi thotë jemi bazuar në raportet investigative të investigimit antikorrupsion të qeverisë shqiptare. Raporte që janë mbushur me shpifje e trillime, e që nuk ka guxuar kurrë Edi Rama ti publikojë në Shqipëri. Më lind pyetja. Nëse merren përbazë shpifjet e trillimet e kundërshtarëve normal që çdo opozitë në botë mund ta shkatërrosh.
E vërteta është që unë qëndroj në të drejtën time, duke mbrojtur dinjitetin tim dhe të atyre që nga 1991 deri sot kanë votuar Sali Berishën. Dinjitetin e demokratëve.
I rikujtoj zonjës se atë shprehjen e barit e ke nga shokë socialistë. Ju sugjeroj njerëzisht tia çoni atyre ose ta mbani vetë se demokratët e shqiptarët nuk janë, as hanë barë dhe as janë Parti e barit” , ndaj ofendime të tilla publike për një ambasadore janë jo të denja dhe detyrohet të kërkojë ndjesë për demokratët e shqiptarët për fjalën që ka thënë. Barin tia çojë Edi Ramës, ai pëlqen fort një lloj bari e ta mbajë me shëndet barin.
Sulmi politik i nisur nga Tirana jo SHBA
RTV Ora: Zoti Berisha deklaroni se zonja Kim ka dhunuar në mënyrë flagrante misionin e saj.
Sali Berisha: Padiskutim. PD është forcë Sovrane. Shqipëria është vend Sovran. Askush nuk ka të drejtë mbi to, veç zgjedhësve shqiptarë të përcaktojë në parlament. Ai është një sulm i hapur politik. SHBA është miku më i madh i Shqipërisë, dhe unë jam gati të marr çdo vendim nëse paraqitet një fakt i vetëm që të faktojë se Sali Berisha ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar veten, bashkëshorten e tij që ka 14 vjet që punon pa rrogë e asnjë shpërblim për fëmijët autikë, apo fëmijët e tij që kanë 8 vite që kntrollohen çdo muaj nga zyrtarët e Edi Ramës.
Është një deklaratë e cila nuk ka asnjë fakt, argument, dokument që mund të provohet, prandaj i jam drejtuar Gjykatës Korreksionale në Paris. Shpresoj që ajo të japë verdiktin e saj për shpifje.
RTV Ora: Megjithatë deklarata e ambasadores amerikane është në sintoni me qëndrimin e DASh, vendimin e Blinken.
Sali Berisha: Pa diskutim. Nuk them se jo, por nuk besoj se DASH i ka dhënë frazën e barit, se është një frazë tipike e diktatorit. Nuk besoj se ka ardhur nga SHBA kjo frazë. Është frazë e shokëve të këtushëm.
RTV ORA: Ka shumë zyrtarë PS të akuzuar për korrupsion, me dosjen në SPAK, akuza publike e megjithatë zonja Kim merret me ju, ju bën përshtypje ky fakt?
Sali Berisha: Nëse shohim vazhdimësinë kjo është vetëm një etapë, se në këto vite PD nga paraardhësi i zonjës Kim është akuzuar për financime nga rusët, e ju ju kujtohet mirë, në një kohë që kurrë nuk kishte marrë asnjë qindarkë. U akuzua më vonë se ka ndërhyrë për anulimin e emërimit të zonjës Kavalec, në një kohë që në mënyrë absolute nuk ishte kërkuar kurrë nga PD.
Kjo është një vazhdë, erdhi tek unë por kemi të bëjmë me një vazhdë.
PD u lavdërua, më shumë se asnjëherë tjetër, me telefonata direkte nga kancelarja Merkel, zyrtarë të DASH e PE për kontributin që dhanë për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Ju kujtohet kur shpërndaheshin mesazhe kërcënuese për të bërë që deputetë të PD-së të shkëputen të votojnë siç donte Edi Rama, e paraqitej opozita si faktor pengues për reformën kur e mbante peng Edi Rama. Por demokratët kanë memorie kanë dhe kthjellësi. Ata janë luftarë për të vërtetën.
RTV ORA: Sërish nota të forta kritike për klimën e biznesit nga raporti i DASH. Ju vjen keq që zonja Kim nuk ia adresoi këto kritika apo gjetje të raportit të DASH ku ajo është e punësuar?
Sali Berisha: Unë nuk kam polemizuar, por nuk pranoj dhe nuk mund të pranoj kurrë sjelljen prej guvernatoreje/ri të cilitdo se unë besoj se një vend i lirë është vend sovran. Ata të cilët sillen si në një vend jo sovran fyejnë një popull e një vend të tërë.S’është për mua risi pse anëson në një parti politike.Ka arsyet e veta e nuk më bën përshtypje. Është e qartë që ka bërë zgjedhje vetë të mbështetjes së Edi Ramës e partisë në pushtet, por e vërteta është që kjo mbështetje prej kaq vitesh nuk e ka bërë Shqipërinë më të mirë. Ju vetë cituat raportin e DASH .
Është keqpërdorur nga qeveria, gjithnjë e më shumë kundër opozitës për të lartësuar murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar
Telefonata Basha - Berisha pas takimit me Kim
RTV ORA: Pas deklaratës së zonjës Kim a keni kontaktuar me zotin Basha? A ju tha zoti Basha çfarë qëndrimi do të mbajë PD?
Sali Berisha: Në telefon. Zoti Basha as nuk më tha, as nuk i kërkova e as nuk më kërkoi. Qëndrimi im është i prerë. Unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët shqiptarë. PD nuk mund të bëhet kurrë parti e dhunimit të lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë e as sovranitetit të saj e të vendit. Duke thënë këtë sërish ftoj cilindon përfaqësues të SHBA-së e çdo vendi tjetër të paraqesë qoftë dhe një fakt të vërtetë për ua por nuk ekzistojnë.
RTV ORA: E kuptoni që po e vini zotin Basha në një pozitë të vështirë të zgjedhë mes jush e SHBA-së?
Sali Berisha: Përkundrazi, pozita më e vështirë do të ishte nëse unë nuk do të bëja këtë që po bëj. Nuk do të qëndroja për dinjitetin njerëzor e liritë e njeriut. Një parti e cila nuk qëndron për këto parime e është themeluar mbi to meriton të mos ekzistojë. Kjo është e qartë për çdo demokrat.
RTV ORA: Në reagimin tuaj në facebook i keni kërkuar votimin e ligjit për vetingun e politikanëve si dhe keni folur për marrëveshjen e dyshimtë mes KLGJ e një Instituti që drejtohet nga zonja Delina Fico
Sali Berisha: Unë i bëj thirrje DASH të shtojë presionin mbi Edi Ramën dhe të bëhet vetingu i politikanëve. Jam gati ta nisin me Sali Berishën. Kjo nuk ka lidhje me vendimin e fundit të DASH ndaj meje, pasi ky ligj është dërguar një vit e gjysmë përpara në parlament dhe është refuzuar nga Rama. Natyrisht kapja e drejtësisë është ana më fatale e reformës.
Kurrë ndonjëherë nuk mbaj mend që në krye të organeve të drejtësisë të ketë pasur vëllezër apo kunetër të ministrave. Sot drejtësia është në duart e PS-së e tëra. Ndaj dhe shkon penalizon nëpunës nga të vegjël dhe mesatar, ndërsa bosët i nxjerr nga burgu se nuk kishin kohë për hetimet.
Kur mora vesh se marrëveshja u firmos me institutin e East Ëest, sinqerisht nuk e dija që në krye të kësaj ishte Delina Fico. Si ka mundësi që tenderi për menaxhimin e 100 mijë dosjeve t'i besohet ish bashkëshortes së Edi Ramës dhe bashkëjetueses së ministrit të Brendshëm.
Prokuroria i është besuar kunatit të ministres. Inspektori i Lartë i Drejtësisë i është besuar vëllait të ish ministres.
Fondet nuk duhet të shkojnë për projekte të bashkëshorteve të ministrave. Kam qëndruar dhe do të qëndroj kundër çdo afera që më duket e dyshimtë. Shumë ish-bashkëpunëtorë të fondacionit të Sorosit më thonë se ky fondacion është shndërruar në paradhomën e SPAK.
Misioni im në Kuvend
RTV Ora: Pse zonja Kim e bëri kaq hapur deklaratën e saj?
Sali Berisha: Unë nuk e di se cilat janë motivet e sulmit politik dhe kërcënimit që zonja Kim i lejon vetes të bëjë, por unë u them shqiptarëve se asgjë nuk lëkund Sali Berishën në përmbushjen e misionit të tij të mbrojtjes së interesit shqiptar në parlamentin e Shqipërisë.
RTV Ora: Thuhet se disa ambasadore do ta bojkotojne seancën e kuvendit nëse paraqiteni ditën e parë? Keni ndonjë koment.
Sali Berisha: Nuk kam asnjë lidhje me protokollin e parlamentit. Unë jam deputet që do të ulem krenarish në vendin tim me një motivim më të madh se ndonjëherë tjetër, cili është vendimi që do të marrin ambasadorët është në tagrin e tyre.
RTV ORA: Kush është qëndrimi juaj për nismën “Ballkani i Hapur” mes Ramës, Vuçiç e Zaev, kur mungojnë tre shtete.
Sali Berisha: "Është vazhdim i nismës së dështuar së Novi-Sadit me emrin “Mini-Shengen” por që tani i morën hua termin Hapur dhe duket se edhe BE ishte i irrituar, nga emërtesa Shengen, pasi Shengen është një qytet në radhë të parë por dhe një traktat i rëndësishëm i ratifikuar nga të gjithë vendet e BE. Në fakt ky Mini-Shengeni krahasuar me Shengenin e vërtetë ishte një lloj komedie që evropianëve nuk u vinte për shtat dhe duket u detyruan të ndërrojnë emrin.
Kjo nismë është e tëra në funksion te serbo-madhisë, në funksion të shndërrimit të Aleksandër Vuçiç dhe Serbisë si epiqendër politike e Ballkanit në një farë mënyre është përpjekje për Jugosllavi të re. E tëra një fantazmë kundër stabilitetit të rajonit dhe Kosovës. "
RTV Ora: Rezulton se edhe ky projekt është i George Soros që në 1999. Ka një shkrim me titull “Hapja e Ballkanit” , e aq më tepër që i biri ishte në Shkup kur u firmos marrëveshja pas disa ditësh qëndrim në Tiranë.
Sali Berisha: Pas dështimit të projektit të serbomadhisë me ndryshimin e kufijve, Soros në një akt anti-shqiptar mbështet një nismë kryekëput destabilizuese kundër Kosovës e por Serbisë.
Arsyet janë të vështira t'i zbulosh, por mund të them se ne kemi vënë lëvizjen e lirë me të gjitha vendet, përveç Serbisë. Shqipëria kurrë nuk mund t'i lejonte vetes që të bashkëpunonte me Beogradin kundër Kosovës.
Kosova herë është ftuar dhe herë nuk është ftuar, por jo si e barabartë, përpos se në Shtëpinë Bardhë.
T'i bësh favore Vuçiçit ndihnon një njeri që e ka vendin në Hagë, për pjesëmarrjen e tij në Gjenocid, me të famshmen për çdo serb të vrarë të vriten 100 myslimanë, një lajtmotiv i gestapos naziste. T'i bësh nder një njeriu që bëri çdo gjë publikisht për të fshehur nga drejtësia Mlladiç, një njeri i cili erdhi në 2019 dhe tha se Serbia do të bëhet më e madhe duke marrë territore Kosovës. Ti bësh retushë njeriut që nisi trenit e pushtimit, është shërbimi më i keq që po i bën Shqipërisë. Kjo nisëm e çon Ballkan drejt hapësirës euro-aziatike.
U them fermerëve shqiptarë se vërshimi i prodhimeve bujqësore serbe do të asgjësojë në treg prodhimet bujqësore vendase, pasi me investimet kolosale të bëra në bujqësinë serbe gjatë regjimit të Titos e më vonë është jashtë cdo lloj konteksti mundësia e fermerit shqiptar për të konkuruar si të barabartë me fermerin serb. Është e tëra në funksion të Serbo madhisë dhe në dëm absolute kombëtar e ekonomik të Shqipërisë"
Gazetarja Beti Njuma: Zoti Berisha ju faleminderit per intervisten
