Raporti i OSBE/ ODIHR, Kikia: E vërteta jo në gjuhë agresive, të lexohen me vëmendje problematikat
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, gazetari Mentor Kikia, ka komentuar raportin e OSBE/ ODIHR, për zgjedhjet e 25 Prillit.
Ai është shprehur se në raport ishte paraqitur të gjithçka që dihej, ndërkohë shton se raporti ishte i lëmuar dhe nuk kishte gjuhë agresive.
Kikia është shprehur se raportet nuk nxjerrin konkluzione, teksa thotë se partitë politike e kanë komentuar sipas këndvështrimeve të tyre.
Sipas tij raporti duhet lexuar me vëmendje për të parë problemet që mund të rregullohen në zgjedhjet e ardhshme.
"Raportet e ndërkombëtarëve, kanë qenë gjithmonë në gjuhë të lëmuar, nuk kanë qenë asnjëherë agresive edhe kur situata ka qenë e tillë, përjashtuar procesin zgjedhor të vitit 1996, kur raporti nuk kishte asnjë lloj mekanizmi për të thënë që mund ta lëmonte atë që ndodhi në ato zgjedhje të asaj kohe. Raportet e mëvonshme kanë qenë gjithmonë duke e thënë të vërtetën, por duke e thënë në një mënyrë të tërthortë dhe pa gjuhë agresive. Raporti i fundit, thoshte gjithçka që ne kemi ditur, apo gjithçka që në njëfarë mënyre edhe opozita e ka denoncuar.
I është referuar problemeve që lidhen me administratën, problem që lidhen me numrin e të punësuarve në administratë në prag të zgjedhjeve, problemit të përdorimit të dhënave personale, si dhe të patronazhistëve
Raportet nuk nxjerrin konkluzione por atë që përmbajnë të gjithë raportet gjatë këtyre kohëve të fundit, që zgjedhjet ishin më të mira se ato të kaluara. Ky është një shabllon që përsëritet në çdo raport zgjedhor. Pastaj mënyra e të lexuarit është sërish e përhershmja, të dyja palët e shikojnë sipas këndvështrimit të tyre. Sipas opozitës është dëshmi që tregon se zgjedhjet ishin masakër, ndërsa sipas mazhoranancës ato konfirmojnë një proces zgjedhore të drejtë, të lirë dhe të qetë.
Unë mendoj se raporti duhet lexuar me vëmendje, për të parë aty jo thjesht për të parë arritjet por problemet, pasi problemet janë ato që duhen korrigjuar dhe detyrimisht duhen mbyllur që të mos jenë prezente në procesin zgjedhor në legjislaturën e ardhshme."
Ai shton se raportet ndërkombëtare nuk janë raporte vendimarrëse, pasi janë institucionet përkatëse që merren me menaxhimin e zgjedhjeve, teksa thekson se raporti i OSBE, vjen pasi të gjithë qeveritë më të madha kishin njohur procesin zgjedhor.
"Raportet ndërkombëtare nuk janë raporte vendimarrëse, ka një institucion që përgjigjet për menaxhimin e zgjedhjeve që është KQZ, ka disa institucione të tjera që merren me shqyrtimin e ankesave siç janë Gjykatat, ku bëhet ankimimi i vendimeve të Komisionit.
Raportet ndërkombëtare kryesisht të OSBE, janë me sfond politik. Sado të forta të jenë nuk do kenë fuqi vendimarrëse. Raporti o OSBE, vjen ose publikohet pasi për këtë proces zgjedhor ishin shprehur se të gjithë kancelaritë politike. Pasi Rama ishte përshëndetur nga Brukseli nga Uashingtoni,të gjitha ambasadat kishin raportuar, ndërkohë urimet që kishin ardhur nga qeveritë më të rëndësishme të Evropës duke e njohur zyrtarisht procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, raport s’do mund të ishte në kundërshtim me gjithë këtë frymë politike të krijuar pas këtij procesi zgjedhor. Por detyrimisht raporti do të vinte në dukje problemet që ne pamë.
Kush do ta shikojë atë si një dëshmi e mrekullisë politike nuk mund të jetë e vërtetë. Opozita përpiqet që të gjejë aty një raport ulëritës, nuk e gjen se raporti vetëm vë në dukje problemet por nuk i komenton ato. Nuk do gjejmë asnjë herë një raport që sado problematik të jetë situata, të mund të arrijë në konkluzione nëse zgjedhjet ishin apo jot ë lira ose të ndershme."

