Rindërtimi pasuron pak kompani, Kevin Construction e Safet Gjicit ka marrë 1.35 miliardë lekë
Një grup kompanish rezultojnë përfituese të shumicës së fondeve të dhëna nga shteti për programin e rindërtimit. Kompania e krijuar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, rezulton përfituesja më e madhe me 1.35 miliardë lekë, ndërkohë që kompania e dytë dhe e tretë në listën e përfituesve janë kontraktuar nga Bashkia e Tiranës.
Qeveria shqiptare ka shpenzuar 21.8 miliardë lekë ose 175.5 milionë euro për programin e rindërtimit nga marsi i vitit 2020 e deri në maj të këtij viti.
Por pjesa më e madhe e këtyre parave rezulton se janë shpërndarë në disa kompani.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data kompania e paguar më shumë dhe në krye të renditjes është Kevin Construction me 1.35 miliard lekë, të cilat i ka marrë në disa kontrata e vetme ose në bashkëpunim.
Ky subjekt është themeluar në vitin 2006 nga Safet Gjici dhe sot zotërohet nga Lavdërim Gjici.
Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga Open Data, programi i rindërtimit i ka dhënë kompanisë Gjikuria 778.9 milionë lekë ndërsa G. P. G Company më shumë se 695 milionë lekë.
Për hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve në zonën e 5 Majit në Tiranë bashkimi i operatorëve Alb Shpresa, Alb Tiefbau, Egeu Stone, Mela dhe Infratech shpk kanë fituar dy kontrata me vlerë 660.8 milionë lekë.
Sipas analizës së Open Data, renditja vijon me bashkimin e operatorëve Kronos Konstruksion, Everest dhe Arb&Transa shpk me vlerë 642.7 milionë lekë.
Sërish kontraktori rezulton Bashkia Tiranë, i cili u ka dhënë këtyre subjekteve këtë total në dy kontrata për zonën e Kombinatit dhe ndërtimin e disa godinave.
Ekzistojnë 37 transaksione që kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve kundrejt kompanive, ndërkohë që pjesa tjetër janë kryesisht shoqëri që janë angazhuar në hartime projekti apo kanë ende pak para të të arkëtuara.

