Donjeta Sadiku do të përballet me kampionen olimpike: Synoj medalje për Kosovën
Është hedhur sot shorti për garat e boksit në Lojërat Olimpike Tokio 2020 ku boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, do të përballet me Caroline Dubois nga Britania e Madhe, në raundin e parë, kampionen olimpike. Një short jo shumë me fat për boksieren dardane e cila do të ketë përballë një kampione olimpike për të reja, kampione e botës për të reja dhe katër herë kampione e Evropës për të reja. Ajo normën olimpike e fitoi në turneun olimpik të mbajtur në Londër dhe më pas në Paris.
Trajneri i Sadikut, Besim Brahimi, që ishte i pranishëm, tha se shorti ishte i pafat për boksieren e tij, por që ai ka besim se Donjeta do t’ia dalë të kalojë pengesën e parë.
Sfida do të zhvillohet më 27 korrik në Kokugikan Arena të Tokios dhe do të startojë në orën 06:24 me orën tonë lokale dhe në 13:24 me kohën lokale të Japonisë.
Gjithsesi vetë Donjeta Sadiku e ka pranuar se synimi i saj i madh është të arrijë medaljen dhe do të bëjë të pamundurën për t’ia dalë.
“Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është ëndrra e të gjithë sportistëve po ashtu gjatë gjithë karrierës time ëndrra ime ka qenë pjesëmarrja në këto Lojëra Olimpike dhe sigurimi i një medalje olimpike. Gjithmonë kam besuar se një ditë do të kem këto rezultate, po ashtu edhe puna dhe përkushtimi i madh do të shpërblehet. Këtë arritje ia dedikoj të gjithëve që kanë patur besim te unë, posaçërisht familjes time. Synimet e mia janë shumë të qarta, sigurimi i një medalje dhe vazhdimi deri tek e arta” u shpreh sportistja dardane.
