Video/ Lojtarët e Boca Juniors zihen me grushta me policinë. Kaos në Libertadores
Disa javë më parë VAR u bë protagonist në një ndeshje të Libertadores duke anuluar një gol të padrejtë në ndeshjen Cerro Porteno-Fluminense ku vendasve iu bë një padrejtësi e madhe.
Gjatë mesnatës u luajtën ndeshjet e kthimit të 1/8 të Copa Libertadores dhe pamjet që vijnë nga ndeshja Atl. Mineiro-Boca Juniors janë të turpshme dhe kaotike.
Ndeshja përfundoi me penallti dhe brazilianët kaluan më tej në çerekfinale por pas vërshëllimës se fundit nisi dhe kaosi. Lojtarët e ekipit argjentinas nisën të protestonin ndaj arbitrit Ostojich i cili anuloi një gol për miqtë, gol që do të ndryshonte fatin e ndeshjes por gjithçka precipitoi.
Në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes lojtarët dhe stafi i Boca Juniors në tentativat për të arritur te arbitri u përplasën me policinë dhe në pamje duket qartë që disa futbollistë kapen me grushta ndërsa fluturojnë në ajër edhe barrierat prej metali.
Përdorimi i gazit lotsjellës qetësoi situatën ndërsa disa lojtarë u ndaluan nga policia dhe më pas u lëshuan.
Gjithsesi edhe pas një shfaqje kaq të shëmtuar, ekipi i Boca Juniors mund ta pësojë rëndë nga rrëmuja dhe përplasjet me policinë.
