Brdariç para sfidës me AEL: Do të jetë një sfidë ndryshe, duhet të tregojmë shumë kujdes
Thomas Brdariç rikthehet të flasë për Vllazninë, pas pezullimit që pati ndeshjen e kaluar ndaj Sirokit.
Përpara nisjes së skuadrës shkodrane drejt Qipros për ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator ndaj AEL Limassol, trajneri i skuadrës foli në konferencë për shtyp ku theksoi se ekipi i tij është gati për një betejë tjetër.
“Mendoj se lojtarët e mi janë gati të shkojnë në një betejë të madhe sepse është ekip serioz. Duhet të jemi shumë shumë të përgatitur për këtë ndeshje”.
A e keni studiuar kundërshtarin?
“Kemi parë shumë video, kemi parë shumë zgjidhje se si mund të luajmë ndaj AEL. Ata kanë bërë disa ndryshime në merkato dhe kanë marrë lojtarë të rinj që nuk i njohim por gjithsesi kanë lojtarë me cilësi. Mendoj se edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta ku ne mund t’i godasim. Duhet të tregojmë formë të mirë ndaj tyre dhe të marrim rezultat të mirë”.
Me aq sa e keni studiuar kundërshtarin, kush është rival më i forte, Siroki apo AEL?
“Kur vjen në një fazë të tillë, janë të gjithë rival të fortë dhe nuk mund të jesh i relaksuar apo të mos luash me kujdes. Tani duhet të jemi më të vëmendshëm sepse në ndeshjen me Sirokin kemi treguar pak naivitet, me gjithë ato që ndodhën me arbitrin dhe lamë pak për të dëshiruar por tani në këtë nivel ku jemi duhet të jetë përgatitja më profesionale e mundshme”.
UEFA iu përgjigj thirrjes tuaj për ndryshimin e orarit të ndeshjes, a jeni i kënaqur ?
“Ishim të surprizuar në fillim me orarin e ndeshjes sepse nuk ishte një orar i mirë për këtë nivel profesional, bëmë një kërkesë që u pranua dhe do të jetë një orar tjetër më të mirë ky të dyja skuadrat mund të japin më të mirën gjatë ndeshjes”.
Vllaznia a duhet të jetë më e kujdesshme në këtë ndeshje në prapavijë apo duhet të vijojë të bëjë lojën e saj?
“Taktika është diçka speciale që më përket mua por unë mendoj se duhet të jemi të përgatitur shumë, me shumë vetëbesim që të bëjmë detyrën sepse presim një kundërshtar agresiv dhe ndoshta do të kenë një shtysë të madhe nga tifozët pasi do të kenë 75% të kapacitetit të stadiumit me spektakorë. Përgatitja jonë duhet të jetë më e mirë se në ndeshjen e parë dhe duhet t’i japim një fytyrë tjetër ekipit tonë”.
A është Da Silva i gatshëm?
“Nuk do të jetë i gatshëm pasi ka bërë disa injeksione pas ndeshjes së kaluar. Duhet të fokusohem te lojtarët që kam të gatshëm për këtë ndeshje, disa lojtarë mund të zhgënjehen pasi nuk kanë formën e duhur fizike por duhet të kuptojnë të gjithë ata që do të udhëtojnë në Qipro se jemi një grup dhe jo vetëm 11 lojtarë”.
Trajneri i AEL ka përgëzuar Vllazninë dhe tifozët e saj, a është kjo një strategji e tij?
“Mendoj se është normale që në këto nivele, kundërshtari të vlerësojë ekipin tjetër. Nuk më intereson shumë se çfarë ndodhë në anën tjetër por ekipi im që të jape maksimumin. Më mjafton që t’iu garantoj se ekipi do të shkojë dhe të japë maksimumin atje”.
Po flitet shumë për talentin Coba pas golit të shënuar, a do të ketë hapësira për të në Qipro?
“Mendoj se të gjithë që luajtën në ndeshjen e kaluar dhanë maksimumin dhe bënë shumë mirë. Coba është djalë punëtor dhe djalë i mirë, është pjesë e skuadrës dhe një djalë që është rritur shumë këto javë. Ai është një shembull i vërtetë sesi një lojtar mund të kalojë nga Akademia tek ekipi i parë dhe duhet të vazhdojë kështu”.
A do të përdorni një tjetër strategji ndaj Sirokit që të mos mbetet në frymën e fundit kualifikimi i Vllaznisë dhe që tifozët shkodranë të jenë më të qetë në ndeshjen e dytë?
“Për mua çdo ndeshje nis nga zero, pothuajse e kam harruar atë që ka ndodhur ndaj Sirokit, kemi marrë shënimet e atyre dy ndeshjeve për një sfidë tjetër ndaj AEL që është ekip me më shumë cilësi. Tani është komplet një ndeshje tjetër, një ekip tjetër dhe fokusi mbetet vetëm për këtë ndeshje”, përfundoi konferencën e tij trajneri Thomas Brdariç.