Gurishta para duelit ndaj AEL: Do të japim “shpirtin” në fushë, nuk kemi ardhur për t’u mbrojtur

Vetëm pak orë na ndajnë nga dueli i Vllaznisë në Qipro përballë AEL Limassol. Një ekip i forte që sigurisht niset favorit për eksperiencën që ka në Europë por për kapitenin Gurishta kjo nuk do të thotë asgjë nëse skuadra do të japë maksimumin dhe ai premton se lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin “shpirtin” deri në fund.

Një sfidë shumë interesante dhe emocionuese ajo ndaj AEL Limassol?

“Normalisht që do të jetë një sfidë e fortë, e presim të tillë e dime nivelin e kundërshtarit. Jemi përgatitur për të marrë më të mirën e mundshme”.

Nuk konsiderohet si favorite Vllaznia në këtë ndeshje, a është diçka pozitive që mund të na nënvlerësojnë?

“Të themi të vërtetën, të jemi realistë. AEL Limassol është favorite, jo vetëm për shkak të kontigjentit apo që ka marrë pjesë shumë herë në ndeshje kualifikuese por edhe për shkak të të ardhurave në nivele të larta por kjo gjithsesi nuk do të thotë. Ata janë favorite në letër dhe ne do të japim maksimumin, besoj dhe shpresoj shumë te një rezultat pozitiv”.

Keni kryer séance stërvitore në stadiumin ku do të luani, si duket stadiumi, kushtet?

“Normalisht është fushë e mirë, por realisht e prisja më të mirë. Stadiumi në Shkodër është shumë më mirë, gjithsesi për ne nuk ka justifikime dhe duhet të japim maksimumin. Është pozitive ndryshimi i orarit pasi në 17:30(ora lokale në Qipro) ishte në temperature të larta dhe tani do të jetë më ndryshe. Shpresojmë në një paraqitje pozitive”.

Diferencat në pagesa dhe në buxhet, si do të mundohet Vllaznia që ta rivalizojë këtë skuadër?

Ndonjëherë nuk është shumë sesa paguhesh por kur jep shpirtin në fushë dhe ne do të japim shpirtin në fushë, varet se çfarë situatash do të sjellë ndeshja. Ne vimë këtu për rezultat pozitiv dhe nuk kemi ardhur aspak të mbrohemi. Do të bëjmë lojën tone dhe atmosfera është shumë pozitive pas atij kualifikimi të mrekullueshëm që bëmë në Shkodër. Të shikojmë se si do të shkojë ndeshja. Grupi është ok, përveç Da Silvas të dëmtuar, të gjithë janë në rregull”, përfundoi kapiteni i ekipit shkodran.