Alaba prezantohet me numrin 4 të Ramos: Nuk jam këtu për t’u krahasuar me spanjollin
David Alaba ndoshta për shkak të vitit të vështirë financiar, do të jetë goditja e madhe dhe e vetme për Real Madrid këtë verë. Mbrojtësi austriak i cili erdhi me parameter zero nga Bayern Munchen dhe zhvilloi një Europian të mire me Austrinë, tani është gati për aventurën e re teksa u prezantua si një lojtar “los blancos”. Ajo që ra menjëherë në sy ishte numri 4, fanella që mbante një legjendë si Sergio Ramos por lojtari largoi çdo krahasim me të.
“Faleminderit për pritjen e ngrohtë, unë jam shumë krenar që do të vesh fanellën e Real Madridit, do të jap gjithçka për të qenë i suksesshëm. Hala Madrid. Numri i Sergio Ramos? Nuk kisha shumë alternativa, ma propozuan të merrja numrin 4, ama e di se çfarë përfaqëson ky numër te Real Madrid. Nuk kam ardhur këtu për t’u krahasuar me lojtarët e së kaluarës, ndodhem këtu për të vijuar të luaj si Alaba dhe për të dhënë më të mirën time. Zgjodha Realin për t’u rritur si futbollist dhe si njeri. Kisha shumë oferta, por kjo ishte sfida që kërkoja”.
Alaba u shpreh se do të kishte pëlqyer të luante në krah të Ramos apo edhe të Varane (që mund të largohet) teksa tha fjalë të mira për Ancelottin.
“E ndiqja Realin kur isha i vogël, ndodhesha në Vienë dhe flitej shumë për këtë klub, ky është shkaku pse jam i lumtur që ndodhem këtu. E pranoj që do të më pëlqente të luaja me Sergio Ramos, të njëjtën gjë mund të them për Varane. Më vjen keq që Zidane nuk është më trajneri i ekipit, por jam i lumtur që në stol është Ancelotti, të cilin e njoh shumë mirë. Luaj në disa pozicione dhe jam gati të aktivizohem aty ku dëshiron trajneri. Mbappe? Ai është lojtar i jashtëzakonshëm, por pyesni persona të tjerë për këtë gjë pasi nuk më takon mua të flas”, u shpreh mbrojtësi austriak në prezantimin e tij në Madrid.
