Ja apartamenti luksoz i ndërtuar pa leje mbi katin e 5 të pallatit, prokuroria apelon vendimin për Qaton
Ora News zbardhi fotot e apartamentit luksoz të ndërtuar pa leje në katin e pestë të pallatit me numër 140 në rrugën "Haxhi Kika", në kompleksin "Ndertim Vila", në Tiranë për lejimin e të cilit prokuroria akuzon kreun e IMT në bashkinë e kryeqytetit Mariglen Qato.
Imazhet janë realizuar nga hetuesit gjatë kqyrjes dhe fotografimit të ndërtimit pa leje, i cili është realizuar pa u penguar nga kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës dhe vartësit e tij pavarësisht dy denoncimeve të bëra për rastin në polici.
Fakti se apartamenti luksoz me sipërfaqe të konsiderueshme është lejuar të ngrihet mbi një pallat 5 katësh të vlerësuar nga ekspertët si i dëmtuar seriozisht nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, nuk e ka bindur gjyqtarin e Tiranës Albert Meça për të pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës arrest me burg ndaj Mariglen Qatos dhe vartësve të tij si dhe vetë personave që kryen punimet.
Mesa duket deklarata e kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë në takim me drejtuesit e policisë, ka prekur një plagë të vërtetë pasi qytetarët e thjeshtë arrestohen edhe për një gardh pa leje, ndërkohë që personat që ndërtojnë apartamente luksoze mbi pallate 5-katëshe shpëtojnë bashkë me zyrtarët që lejojnë katrahurën urbane në mes të Tiranës.
Prokuroria e Tiranës ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të gjyqtarit Albert Meça që la në detyrim paraqitje një javë më parë kreun e IMT Mariglen Qato të akuzuar për shpërdorim detyre.
Përveç faktit të lejimit të një ndërtimi të mirëfillte pa leje në katin e fundit të një pallati që është pronë kolektive e që jetojnë aty, prokuroria evidenton faktin se Mariglen Qato jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar me hetimin por i është shmangur atij.
Më konkretisht organi i akuzës i ka bërë të qartë gjykatës se kur u thirr për të dhënë shpjegime në muajin qershor, mariglen qato jo vetëm që nuk u paraqit por dërgoi raporte mjekësore sikur ishte sëmurë, në një kohë që kametrat e sigurisë tregojnë se ka dalë në zyrë rregullisht.
Në dosje ndodhen edhe akte që tregojnë se prokuroria ka kërkuar shoqërimin e detyrueshëm të zyrtarit të bashkisë së Tiranës për të dhënë shpjegime por mesa duket as kjo nuk ka ndodhur.

