Vonesa dhe heqje Kempi, qytetarët ankohen: Mjekët nuk vijnë në punë, rrinë në kafe

Ankesat e qytetarëve për procedurat e KEMP-it janë të shumta. Ata thonë se kanë disa muaj që nuk marrin këstin e përmuajshëm duke akuzuar se po i sorollasin në zyrat e shtetit. Nga ana e këtij institucioni na u sqarua se janë duke punuar me ritme të shtuara, ndërsa kënë ende në shqyrtim dosjet e depozituara që në muajin shkurt.

Pas ankesave të shumta në emisionin “Ora Juaj” në Ora News për vonesa të KEMP-it, grupi i xhirimit pa edhe një herë situatën nga afër.

Nga oborri i këtij institucioni  u konfirmuan ato që janë përcjellë përmes telefonatave, ku prej disa muajsh qytetarët  nuk i kanë marrë këto këste.

"Në fund të nëntorit kemi bërë ankesë për KEMP-in."

"Nuk ka ardhur radha, për 6 muaj nuk erdhi radha? 100 mijë lekë KEMP është."

"Vetëm muajin shkurt kam marrë dhe nuk kam marrë më. Tani më ka dhënë një copë letër, nusen e kam në shtrat dhe nuk e sjell dot."

Ata thonë se dosjet e tyre kanë që prej muajit janar që nuk janë hapur për rishikim.

Dikush tjetër kërkon të marrë kujdestarinë për vajzën me spektrin autik dhe çrregullime mendore, por edhe këtë herë e përcollën duke i thënë të presë një përgjigjeje.

"Pritni përgjigje pas datës 10 gusht thanë, asgjë.I pyeta nëse e fiton kujdestarinë me këtë diagnozë dhe thanë nuk e dimë, pyetni në komunë."

Ka edhe nga ata thonë se me të padrejtë ua kanë hequr KEMP-in.

Megjithatë kjo zonjë e cila ka kaluar  një sëmundje të rëndë dhe thotë se nuk mund të punojë, nuk lodhet duke kërkuar atë që meriton.

Ajo akuzon se punonjësit e KEMP-it nuk vijnë në orar për të punuar.

"Unë jam operuar dhe kur kam ardhur këtu për KEMP-in, nuk donin të ma jepnin duke më thënë se nuk më takon, ndërsa unë jam e sëmurë. Ma dhanë me zor për 2 vite dhe për vitin e tretë, në pandemi, më kanë çuar në spital për të bërë skaner. E dorëzoj dhe ma kanë fshehur skanerin. Nga maji dhe tani ma kanë hequr.

Unë kam hequr gjirin nga kanceri, grada e dytë. Më thonë e kam marrë 3 vite dhe s'më takon më. Unë jam e aftë për punë të lehtë, por më kanë thënë se nuk kanë unë për të shëndosha, jo për mua. Në orën 8 kishim me filluar, ndërsa ora 9 mjekët janë akoma nëpër kafe dhe s'kanë ardhur. Këtu është katastrofë."

Nga ky institucion na u sqarua se janë duke punuar me një fluks të madh pune, ndërsa në shqyrtim kanë dosjet e muajit shkurt.

Vonesat  kanë ardhur për shkak të pandemisë, ndërsa muaji mars ka numrin më të madh të dosjeve të pahapura ende.