Ishte shpallur në kërkim për vrasje mbetur në tentativë e trafik droge, prangoset në Fier 29-vjeçari

Një person i shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje është prangosur ditën e sotme në Fier. 

29-vjeçari është i dyshuar si bashkautor në ngjarjen e ndodhur në 17.08.2020, në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit në Patos, ku 5 persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S.

''Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Emiljano Selmanaj, 29 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike". Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 03.09.2020, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurimit "Arrest në burg" për veprat penale "Vrasje me paramendim" e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".'' - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.