Operuan të plagosurin në masakrën e Velipojës, mbeten në burg 2 mjekët dhe infermierja
Gjykata e Apelit në Shkodër la ne burg mjekët e spitalit të Traumës Ervin Sulaj dhe Serdi Memini si dhe infermieren e Shkodrës Diellë Macaj. Ata akuzohen se kanë marrë para për të operuar 17-vjeçarin Elmidin Dyli i mbetur i plagosur në Masakrën e Velipojës.
Mjekët Ervin Sulaje Serdi Memini si edhe infermierja Diellë Macaj do të qëndrojnë në qeli. Gjykata e Apelit mori këtë vendim të enjten bazuar në akuzat e prokurorisë për korrupsion.
Memini, kirurg ortoped dhe Ervin Sulaj, anestezist reanimator, pranë spitalit të Traumës si dhe infermierja Macaj në spitalin e Shkodres dyshohet se kanë marrë para për të operuar17-vjeçarin Elmidin Dyli, i mbetur i plagosur në masakrën e Velipojës ku 4 persona humbën jetën.
Sipas prokurorisë ata i kanë marrë Ftabardh Dylit, babait te 17-vjeçarit të plagosur, të dy të arrestuar tanimë, shumën prej 377.000 lekë dhe 55 euro, për kryerjen e operacionit.
Avokatët thane përpara trupës gjykuese se nuk ka vend për asnjë masë sigurie ndaj klientëve të tyre, me argumentin se mungojnë provat që faktojnë akuzat e ngritura.
Edhe avokatja e infermieres kërkoi masë më të zbutur, por prokurorja e çështjes Pranvera Gruda u shpreh për lënien në fuqi të masës së sigurisë që dha shkalla e parë, atë të arrestit me burg.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari i Apelit, Tonin Sterkaj vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Seanca ishte e parashikuar për të mërkurën, por u shty me një dite për shkak se prokurorja e apelit kërkoi të njihet më gjatë me aktet e ekspertimit dhe pretendimet e palës mbrojtëse.
Avokatët paraqitën një raport vlerësimi të performancës së mjekëve gjatë punës së tyre si dhe gatishmërinë për lënien e garancisë pasurore por që nuk u morën parasysh nga gjykata e apelit.
Rruga e mbetur që pritet të ndjekin avokatët e mjekëve mësohet se është rekursi në gjykatën e lartë, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që të kërkojnë zëvendësim mase në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.
Deri tani mjeket i kanë mohuar akuzat duke thënë se janë marrë vetëm me operacionin.
Sindikata e mjekeve para disa ditësh kërkoi lirimin tyre me argumentin se nuk përbejnë rrezik për prishje e provave.
