Përmbytjet vdekjeprurëse në Kinë, pas Europës, Kina përmbytet brenda orës, 12 të ndarë nga jeta

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë provincën Henan në Kinën qendrore. Ndërsa në Europë ishin 200 të vdekur, në Kinë, brenda një ore, në provincë, si pasojë e vërshimeve të ujit, humbën jetën 12 persona dhe qyteti u paralizua i gjithi. Ambjentalistët thonë se ndryshimet klimatike po japin efektet e veta.

Ngjan si të jetë duke u xhiruar ndonjë film i Hollivudit, por janë pamje që mbërrijnë nga përbytjet vdekjeprurëse në Kinë.

12 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 mijë janë zhvendosur nga province Henan për shkak të rreshjeve të dendura të shiut që sollën edhe përmbytje masive.

Instituti i meteorologjisë raportoi për një nivel rekord reshjesh brenda një ore. Nga ora 4 deri në orën 5 të pasdites, ra 201.9 mm shi, që solli edhe përmbytjet masive.

Ekspertët kanë njoftuar se reshjet e dendura do të vijojnë edhe këtë të mërkurë me intensitet të lartë. Jeta në të gjithë provincën në Kinën qendrore është paralizuar. Janë mbi 80 linja autobusi që janë pezulluar, shërbimi i metrosë është pezulluar gjithashtu dhe zona të tëra janë pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike.

Pak ditë më herët shirat e rrëmbyeshëm sollën vdekjen e rreth 200 qytetarëve në Europë, në Gjermani dhe Belgjikë.

Organizatat mjedisore anekënd botës kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve klimatike.

Sipas tyre, ky është vetëm fillimi i hakmarrjes së natyrës për shkak të prerjes së pemëve, gazeve serë dhe prishjes së habitateve natyrale të kafshëve.