"Edhe një takim koti", Haradinaj: Pa përfshirjen e SHBA, dialogu me Serbinë është i vdekur

"Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi". Kështu e ka cilësuar atë çfarë ndodhi sot në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç,  ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas tij, secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve.

Haradinaj deklaron se kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces.

"Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak. Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin!

Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?"

Takimi i dyte i Brukselit, Prishtine-Beograd me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian u mbyll sot pa marrëveshje.

Kjo ishte tryeza e dyte e dialogut qe pas ngrirjes se bisedimeve, e cila përveç dështimit nuk dha sinjale për vazhdimësi të procesit.

Disa nga faktorët politikë në Prishtinë kanë kërkuar ndërhyrjen direkte të Shteteve të Bashkuara në këtë dialog pas zvarritjes pa fund të procesit.