Gucati-Haradinaj gati për gjyq, mbrojtja propozon gjykimin përpara datës 30 gusht, prokurori parashikon nëntorin

Gjykata Speciale pritet brenda disa javëve që të nisë gjykimin për akuzat ndaj ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Mbrojtja kërkon që Gucati dhe Haradinaj të gjykohen duke filluar nga gushti, ndërsa prokurori i specializuar synon nëntorin.

Dy ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë të gatishëm të gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë para datës 30 gusht.

Gucanti dhe Haradinaj u arrestuan 25 shtatorin e kaluar si të dyshuar për veprat penale të pengimit të zyrtarëve në kryerjen e detyrave, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për publikim të dokumenteve konfidenciale që i përkisnin Gjykatës Speciale.

Avokati i Haradinajt, Tobi Kadman, i kërkoi të enjten trupës ndërkombëtare të shpejtojë hetimet dhe ngriti shqetësimin se klientit të tij nuk po i vihen në dispozicion dokumentet e akuzës.

 “Ne do të bëjmë një parashtrim me shkrim lidhur me ato dokumente të cilat konsiderohen si ta përkthyera ende deri më tani. Ne e kuptojmë që ka një prioritet lidhur me këto çështje, por nuk mund të kuptojmë ecet përpara me këtë qëndrim dhe nuk mund të vazhdojmë nëse nuk do t’i vendoset në dispozicion të akuzuarit në gjuhën që ai flet dhe kupton. Ne e kuptojmë nuk bëhet fjalë për një shtetas të huaj që del para një gjykate të huajë, është shtetas i një vendi i cili del para gjykatës së shtetit të tij.”

Ndërsa prokurori i quajti të pavlefshme arsyet e mbrojtjes, Kadman informoi se po kryhen hetime të mëtejshme në Kosovë dhe Serbi me persona të përfshirë në çështjen ndaj tyre.

 “Ka disa gjëra që duhet t’i hetojmë më tej dhe do të vazhdojmë të bëjmë këtë punë. Kemi një numër kërkesash që presin t’i bëjmë. I kemi bërë ministrive, agjencive të ndryshme në Republikën e Kosovës, me të cilat kërkojmë informacione, kemi kërkuar gjithashtu dhe do të vazhdojmë të ndjekim bashkëpunimin. Kërkojmë të intervistojmë një numër personash të Republikës së Serbisë për shkak të përfshirjes së tyre në këto çështje. Nëse nuk kemi bashkëpunimin e Republikës së Serbisë, siç presim, për shkak të faktit që ekziston gjendje lufte mes Serbisë dhe Kosovës duhet të kthehemi përsëri këtu për të kërkuar ndihmë.”

Në konferencën e gjashtë me rastin e Gucatit dhe Haradinaj, gjykatësi i procedurës paraprake caktoi 16 korrikun si datën për kalimin e dosjes së tyre në trupin gjykues, ndërsa prokurori i çështjes tha se parashikon nëntorin si muajin kur mund të fillojë gjykimi.