Vaksinimi kundër Covid 19, BE parakalon SHBA

Teksa beteja kundër koronavirusit ende vijon, Bashkimi Evropian ka parakaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vaksinimin e popullsisë. Por pavarësisht ritmit të lartë të vaksinimit në botë, frika për një vale të tretë infektimesh në botë qëndron e lartë prë shkak të variantit Delta, i cili është disa here më ngjitës.

Më tepër se 55.5 % e popullsisë së përgjithshme të Bashkimit Evropian kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit.

Unioni qëndron në pararojë të vaksinimeve në botë, duke lënë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 55.4 për qind, këto janë shiofrat që raportohen në të dhënat e “Our Ëorld in Data”.

BE-ja ishte kritikuar në fillim të vitit, për shkak të një fushate të ngadaltë të vaksinimit. Ndërkaq, SHBA-ja kishte pasur një nisje të vrullshme të fushatës së imunizimit, por së fundmi vaksinimi është ngadalësuar, kryesisht për shkak të hezitimit për të marrë vaksina.

Pavarësisht numrit të lartë të të vaksinuarve në botë, janë rritur shqetësimet për një valë të re të virusit, për shkak të variantit Delta, teksa më të rrezikuarit janë personat e pavaksinuar.

Infektimet në SHBA janë rritur dyfish në dy javët e fundit, ku në baza ditore janë regjistruar pothuajse 30.000 raste.

Ndërkaq, në BE, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se blloku mund të goditet nga një valë e re e infektimeve në fillim të gushtit.

Për shkak të një vale eventuale, shumë vende kanë ashpërsuar masat.

Barcelona dhe qytete të tjera në verilindje të Spanjës kanë rikthyer masën e orës policore gjatë fundjavës, ndërkaq në Los Anxhelos gjatë kësaj jave u bë e detyrueshme mbajtja e maskave.

Ndërkaq, në Francë, mbi 100.000 persona në disa qytete protestuan kundër masave të reja, që kërkojnë që qytetarët të vaksinohen nëse duan të kryejnë aktivitete të caktuara.