Ndihma e parë në aksidente, këshillat se si duhet vepruar në raste urgjence
Nëse ofrohet në kohën dhe mënyrën e duhur ndihma e parë shpëton jetë.
Cristian Cura, po u mëson kursantëve që duan të pajisen me leje drejtimi se si të veprojnë në rast rreziku.
Sipas INSTAT në 5 muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore 90 persona ndërsa janë lënduar mbi 700 të tjerë.
Koordinatori i Ndihmës së Parë pranë Kryqit të Kuq thotë se duhet të bëjmë shumë kujdes kur lëvizim të plagosurin.
“Ta mbajmë brenda në makinë pa lëvizur siç është, vetëm në rastet kur rrezikon që makina të marrë flakë, apo nëse personi nuk jep asnjë shenjë vetëdije ne mund ta nxjerrim jashtë nga makina për ta larguar nga makina," tha ai.
Por kujdes, dhënia e gabuar e ndihmës mund të çojë edhe në fatalitet.
“Duhet të dimë që në aksidente rrugore, rreziku më i madh është dëmtimi i qafës, dhe një lëvizje e gabuar mund të çojë në paralizimin e personit të aksidentit," shtoi ai.
Në më pak se dy muaj 13 persona kanë mbetur viktimë e mbytjeve në det apo lum. Por nëse një person ka ende shenja jete pasi e kemi nxjerrë nga uji dhe kemi njoftuar shërbimin e urgjencës duhet të veprojmë në këtë mënyrë.
“Në rastin, kur personi del nga uji në gjendje të pavetëdijshme duhet bërë patjetër lirimi i rrugëve të frymëmarrjes, nëpërmjet ngritjes kokës lart. Bëjmë dhe një kthim në anë për të mbajtur të lira rrugët e frymëmarrjes. Në rastin kur nuk ka frymë, duhet patjetër të fillojmë masazhin kardiak menjëherë."
Zjarret e shkaktuar nga rrjedhja e gazit apo faktorë të tjerë janë një tjetër rrezik i stinës së verës.
“Në zjarret minimale, në kushtet e shtëpisë, është e rëndësishme që të bëjmë menjëherë të bëjmë mbulim të flakëve, jo me hedhje uji," shtoi Cura.
Cura thotë se djegiet duhet të trajtohen vetëm me ujë të ftohë për 20 minuta ndërsa rekomandon të mos përdoren metodat e vjetra.
“Njerëzit përdorin , ujin me kripë, përdorin salcë domateje, përdorin kolinoz, por nuk ka asnjë evidencë shkencore që i mbështet," tha Cura.
Dhënia e ndihmës së parë është një detyrë morale për çdo kënd nga ne, por pavarësisht dëshirës për të ndihmuar një person në rrezik, ekspertët këshillojnë të mos veprojmë nëse nuk kemi njohuritë e duhura.
