"Fuck Off BE", Rama mesazh nga Athina: Raport special me Ankaranë
Kryeministri Edi Rama e ka ashpërsuar edhe më tepër retorikën ndaj Bashkimit Evropian, i cili edhe këtë verë e la jashtë dere Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Vafshi në djall” tha ai nga Athina duke akuzuar BE për nacionalizëm.
“E kam fjalën për nacionalizmin në vende të rëndësishme. Mendoj që nuk duhet të biem pre e dëshpërimit. Ne në Shqipëri u bëmë gati për dasmën, morëm orkestrën më të mirë sepse Këshilli Evropian na tha që jemi gati për anëtarësim. Në dasmën e parë nusja nuk erdhi, as në dasmën dytë nuk erdhi, nuk ka më përgatitje për një dasmë të tretë, vafshit në djall, nuk mund të vazhdojmë më me pritshmëri," tha Rama.
Në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, organizuar nga ish-kryeministri George Papandreou Rama parashtroi rreziqet e mosintegrimit të Ballkanit Perëndimor.
“BE ka nevojë për Ballkanin aq sa Ballkani ka nevojë për BE. Kinezët me të cilët patëm një martesë të lumtur dhe divorc të hidhur, thonin se sa të kemi Shqipërinë kemi gjithë Evropën nuk na duhen të tjerët për shkak të pozitës strategjike. Rusia po ashtu. Turqia është krejt ndryshe, nuk e shoh si aktore të tretë," tha Rama.
Duke u ndalur te liberalizmi i vizave, Kryeministri tha se BE po vepron me standarde të dyfishta lidhur me Kosovën.
Greqisë i bëri thirrje të kthejë vëmendjen në rajon ndërsa shtoi se bashkëpunimin rajonal është e vetmja mënyrë për t`u bërë konkurrues.
