Teuta humbet sërish me Sheriff dhe eliminohet nga Championsi por mbetet në Europë

Kampionët e Shqipërisë lajnë duart me Champions League. Teuta eliminohet nga ky kompeticion që në raundin e parë eliminator ku duhet thënë në fakt se eliminimi u hipotekua që pas ndeshjes së parë të zhvilluar në “Niko Dovana” me humbjen 4-0.

Trajneri Martini bëri disa ndryshime në ndeshjen e dytë ndaj Sheriff Tiraspol në Moldavi ku Dejvi Bregun e larguar e zëvendësoi me Ilri Grudën ndërsa Sheriff Kallakun e la në stol. Gjithsesi durrsakët pësuan gol që në minutën e 6’ dhe aty mori fund gjithçka teksa moldavët nuk u sforcuan për të shënuar më shumë duke qenë se kanë raunde të tjera më tutje.

Sfida përfundoi 1-0, humbje minimale për durrsakët të cilët eliminohen nga Champions League por nuk e kanë mbyllur me aventurën europiane pasi me formatin e ri dhe Conference League, ekipet e eliminuara në këtë raund të Championsit shkojnë në raundin e dytë eliminator të ligës së re.

Shorti për këtë raund është hedhur dhe Teuta do të luajë me Inter D’escalades, ekipi që u mund nga Prishtina në raundin paraelimantor. Rivali është i lehtë për skuadrën e Martinit por qasja e tyre duhet të jetë ndryshe nga ajo me Sheriff Tiraspol.