Kishte ngritur rrobaqepësi pa leje dhe vidhte energjinë elektrike, prangoset elektriçisti në Tepelenë
Shpërdoroi detyrën duke vjedhur energjinë elektrike dhe ushtronte aktivitet tregtar të paregjistruar në organet tatimore, vihet në pranga elektricisti në Tepelenë.
Shtetasi me iniciale A. Sh., 61 vjeç, me detyrë punonjës i OSHEE Tepelenë, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike si dhe ushtrim aktiviteti tregtar, rrobaqepësi, pa leje tatimore.
''Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 61 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë punonjës i OSHEE Tepelenë. Shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe u gjet një ambient në të cilin ushtronte aktivitet tregtar (rrobaqepësi) të paregjistruar në organet tatimore.'' - njofton policia.
Materialet në ngarkim të shtetasit A. Sh. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Shpërdorim i detyrës", "Vjedhja e energjisë elektrike" dhe "Ushtrim aktiviteti i paregjistruar në organet tatimore".

