Meta takim me homologun hungarez: Mirënjohje për mbështetjen në integrimin e Shqipërisë në BE

Presidenti Ilir Meta, ditën e sotme ka vizituar Budapestin, ku dhe ka marrë pjesë në Kryemadhi në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ndërkohë, në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, kreu i shtetit krahas fotove që ka publikuar shkruan se është takuar me homologun Kanos Adner. Meta shkruan se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Europian.

Postimi i plotë:

Mikpritje e ngrohtë dhe miqësore në Budapest, nga homologu im, Janos Adner.

I lumtur të konfirmonim se marrëdhëniet e shkëlqyera, historike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë meritojnë të forcohen dhe të thellohen më tej, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Europian, që na ka motivuar më shumë për të vijuar në rrugën e pakthyeshme të reformave dhe plotësimit të të gjitha kushteve të domosdoshme për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Vlerësuam se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara aq sa duhet dhe se shkëmbimet tregtare, ekonomike dhe turistike janë ende larg mundësive të prekshme.

E falenderova Presidentin Ader për kënaqësinë e veçantë, që më dha, për të përuruar së bashku bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Budapest, simbol të rifreskimit të bashkëpunimeve të ngushta mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe së ardhmes së tyre premtuese