“Bien” përgjimet nga policia, Kushtetuesja shfuqizon ndryshimet: Cënojnë privatësinë
Gjykata Kushtetuese urdhëroi policinë të ndërpresë çdo procedurë përgjimi ndaj qytetarëve pa autorizim gjykate dhe prokurori, bazuar në ligjin e ndryshuar në vitin 2020. Institucioni më i lartë gjyqësor e shfuqizoi draftin e mazhorancës që i dha policisë të drejtën e përgjimit, duke e cilësuar si kërcënues për jetën private të qytetarëve dhe në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
Gjykata Kushtetuese i hoqi të drejtën Policisë së Shtetit për të përgjuar dhe survejuar qytetarët pa autorizim nga prokuroria dhe gjykata.
Institucioni më i lartë gjyqësor në vend ka vendosur shfuqizimin e ligjit të mazhorancës, duke urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij, pasi cënon jetën private të qytetarëve dhe parimin e sigurisë juridike.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare, Kushtetuesja thekson se ka urdhëruar pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, që parashikonte të drejtën e policisë për përgjimin dhe survejimin e qytetarëve.
Neni në fjalë u ndryshua në vitin 2020 me iniciativë të mazhorancës, dhe nuk u tërhoq pavarësisht alarmit të juristëve dhe kthimit të ligjit për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës.
“Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se neni në fjalë vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Në fillim të vitit 2020, me propozim të Qeverisë, Kuvendi ndërhyri në ligjin e Policisë së Shtetit, duke i shtuar asaj kompetenca që nuk i kishte ma parë në lidhje me përgjimet.
Konkretisht drafti parashikonte se drejtuesit e policisë mund të urdhëronin vartësit për kryerjen e përgjimeve në periudha deri në 3 muaj pa autorizim nga Prokuroria dhe Gjykata.
Drafti në fjalë u kundërshtua ashpër nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të cilët ngritën padi në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ligji cënonte hapur privatësinë e qytetarëve.
Kundër ligjit u deklarua edhe Prokuroria, e cila vlerësoi se drafti në fjalë i jepte Policisë së Shtetit kompetenca që Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale ia kishin dhënë vetëm organit të akuzës dhe gjykatave.
Vendimi i plotë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
- Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
- Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesave.
2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.


