Euro 2020/ Ukrainë-Angli, blindohet Roma, Kepi: Frikë për variantin Delta
Sot në orën 21:00 në stadiumin 'Olimpico' në Romë do të zhvillohet ndeshja midis Ukrainës dhe Anglisë.
Gazetarja e Ora News në Itali, Alba Kepi thotë për emisionin "Sport Magazinë 2020", se për ndeshjen e sotme janë marrë masa të rrepta në Romë, me rrugë të mbushura më post-blloqe, për të kontrolluar të gjithë tifozët.
"Sot jo vetëm ka masa shumë të rrepta por qyteti është i blinduar. Në të gjitha rrugët që të çojnë në stadiumin 'Olimpico' janë ngritur post-blloqe, të cilat kanë në kontroll të gjithë tifozët. Sinjalizimet janë se ndoshta ka tifozë anglezë që përmes vendeve të treta, tentojnë të mbërrijnë në Romë."
Gazetarja shton se mediet britanike kanë raportuara se rreth 500 tifozë anglezë janë arrestuar në Dubai, pasi kishin blerë bileta për të mbërritur në Romë, për të mbështetur kombëtaren angeleze ndaj Ukrainës.

"Sipas medieve britanike janë kapur rreth 500 tifozë në Dubai, të cilët kanë blerë një biletë super të shtrenjtë, për të mbërritur në Romë", pohon Alba Kepi për Altin Sulçe dhe Dorisa Keçani.
Ajo shton se në Romë është ndaluar shitja e pijeve alkoolike dhe ushqimeve që konsumohen në rrugë, për shkak të frikës nga varianti Delta i koronavirusit.
"Janë ndaluar jo vetëm shitja e pijeve alkoolike por edhe shitja e të gjitha produkteve ushqimore, që që konsumohen në rrugë. E gjitha kjo për frikën e variantit Delta."

