"Sport Magazinë 2020" bashkon për herë të parë në studio gazetaren me babanë: Ndihem si nxënësja përballë profesorit
Moderatorët e "Sport Magazinë 2020" surprizuan në emisionin e sotëm korrespodenten e Ora News në Itali, Alba Kepi, duke e ballafaquar atë për herë të parë në një studio televizive me babanë e saj, gazetarin Bedri Alimehmeti.
Gazetarja u shpreh se babi e ka ndihmuar në formimin e saj në fushën e futbollit, duke theksuar se ndihet si nxënësja përballë profesorit.
"Është një surprizë shumë e bukur. Babi im ka kontribuuar shumë në formimin tim futbollistik. Kam qenë në stadiume që e vogël, duke ndjekur Tiranën tonë. Ndihem si nxënësja përballë profesorit. Është hera e parë që jam me babanë në studio televizive. I them që e dua shumë shumë", thotë Alba Kepi për moderatorët Altin Sulçe dhe Dorisa Keçani.
Teksa babai e pyet gazetaren për ekipin italian ajo përgjigjet:
"Unë i them babait që jam tifoze e italianëve, pasi më parë kam qenë tifoze e anglezëve. Por duke jetuar në Itali u bëra tifoze e italianëve."
