"Shpirti", Hajdarmataj bën një analizë të ftohtë: S'u kapën peshqit e mëdhenj, janë cironka

Ish drejtuesi i lartë i Policisë së Durrësit Arben Hajdarmataj kërkon të lërë mënjanë euforinë e djeshme me operacionin e koduar “Shpirti” që çoi në zbulimin e një zinxhiri të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali dhe të zbresim në tokë.

Sigurisht e quan pozitive goditjen e një aktiviteti kriminal por ”jemi larg goditjeve të peshqve të mëdhenj” thotë Hajdarmataj dhe nis analizën.

Hajdarmataj: “Mua nuk më duket serioze, rendja e institucioneve shqiptare si SPAK e policia e shtetit që të marrin atributet, apo lëvdatat që duan t'i kenë por nuk i kanë. Ky është një operacion drejtuar nga prokuroria e antimafies e italiane dhe ka ftuar autoritetet shqiptare. Këtu nuk jemi në nivelin që SPAK ka iniciuar vetë hetimin dhe ka ftuar në bashkëpunim autoritetet italiane. Pavarësisht nga ato që thuhet në konferenca shtypi se kanë goditur Ndraghetën apo mafien më të madhe të Europës.

Po ta analizojmë qetë, pavarësisht nga numri i personave të përfshirë, për mua është një goditje e zakonshme. Niveli më i lartë ishte një punonjës policie me gradën më të ulët, nënkomisar, një prokuror, një drejtues administrate dhe dy ish shoqëruesit e zotit Tahiri që qysh në vitin 2015 kanë qenë të denoncuar publikisht nga mediet."

I pyetur nëse SPAK po justifikon punën  Hajdarmataj shprehet se nuk mund të themi që është sukses pasi ky është një aktivitet normal i këtij institucioni të drejtësisë. Për Hajdarmataj SPAK do ishte i besueshëm nëse do hetonte njerëz që kanë ndikim në politikën e Shqipërisë.

Hajdarmataj: “Për mua po! Shumë mirë që është goditur grupi kriminal por nëse do ta ndaja për mua jemi në një aktivitet normal të SPAK. Nuk mund të them që është sukses. Sukses është kur SPAK merr një çështje e nis dhe e çon në fund dhe godet njerëz që kanë ndikim në politikën e Shqipërisë.

Një njeri që merret me drogë përveç faktit që merret me aktivitet kriminal, një njeri që nuk është në jetën politike, është një njeri që kryen aktivitet kriminal dhe duhet goditur. SPAK do ishte i besueshëm nëse do ta inicionte vetë dhe do kishim persona me ndikim në jetën shoqërore. Ne kemi një krim që nuk bëhet shumë mediatik, krimi i pastrimit të parave. "

Zoti Hajdermataj foli edhe në lidhje me përgjimet e Prokurorisë italiane ndaj Ndraghetas ku del edhe emri i kryebashkiakut Veliaj. Sipas tij SPAK nuk ka nisur asnjë hetim për pastrimin e parave në Tiranë në fushën e ndërtimit.

Përgjimet e Ndraghetas: Kemi 5 mln metra katrorë leje ndërtimi në Tiranë, SPAK nuk ka nisur hetim për pastrimin e parave

Hajdarmataj: "Kemi një përgjim të Prokurorisë italiane kur Ndragheta del që ka ndikuar në dhënien e lejeve në qytetin e Tiranës. Ka pasur takime të tërthorta me kryebashkiakun e Tiranës. Unë nuk shoh në SPAK një fillim të një çështjeje penale për pastrim parash.

Kemi 5 mln metra katrorë leje ndërtimi në Tiranë dhe sado analizë minimale, nuk ka raport financiar që të kenë mundësi për ndërtimin e këtyre objekteve e për këto SPAK nuk dëgjohet.

Ku janë gjithë këto para që po ndërtohet n Tiranë? Kur ka nisur SPAK një hetim për pastrim parash? S'ka filluar. Në Tiranë ka me miliarda euro lek që po futen dhe po pastrohen dhe ti si SPAK nuk fillon asnjë lloj hetimi."

SPAK nuk ka zbardhur asnjë vrasje të bujshme

SPAK nuk ka treguar një hetim cilësor u shpreh Hajdarmataj. Sipas tij, asnjë vrasje e bujshme në Tiranë nuk është zbuluar deri tani. Në momentin që ndalohet një njeri për një aktivitet kriminal, duhet t'i shkohet deri në fund, sipas Hajdarmataj.

Hajdarmataj: "SPAK nuk ka treguar një hetim cilësor. Pavarësisht nga mbështetja që i ka dhënë ambasada amerikane, nuk po shohim një cilësi të lartë te kjo strukturë. Ke të deklaruar 1 mijë tonë kokainë, të paktën vitet e fundit që futet përpunohen të Shqipëri. Ndalohet një njeri, po ku është grupi? Ku do shkojë kjo kokaina? Ku do përpunohet? Ky është hetimi cilësor që unë pretendoj që të bëjë SPAK. Ke gjithë ato vrasje në Tiranë të bujshme, ke vrasje me pagesë, është e turpshme që të vritet një njeri me 2000 euro dhe sërish SPAK asnjë vrasje të mundshme nuk ka zbardhur deri tani. Kjo është jo cilësore për mua."

Intervistoi Sonila Musai