“Mbreti pa kontratë”, Laporta: Rrini të qetë për Messin
Sot në mesnatë skadon kontrata e Lionel Messit me Barcelonën. Ylli argjentinas, një nga lojtarët më të rëndësishëm në botë do të jetë një lojtar i lire dhe shtypi spanjoll e argjentinas nuk mungoi me titujt bombastik.
“Mbreti pa kontratë”, Paradoksi Messi, apo tituj të tjerë ishin në faqe të parë të të përditshmeve sportive duke e cilësuar një situatë pazakonte e për më tepër një paradoks pasi kontrata i skadon dhe e ardhmja do të jetë ende te Barcelona.
Janë shumë të sigurtë burimet e shtypit sportiv në Spanjë që pas Copa Americas, Messi do të nënshkruajë rinovimin me klubin katalan e nga ana tjetër as siguri të madhe nuk ka për shkak të ofertave të rëndësishme nga PSG, Man. City.
Ndërkohë presidenti i Barcelonës, Juan Laporta i pyetur sot pranë selisë së klubit nuk komentoi gjatë dhe vetëm me fjalët “Rrini të qetë” u shpreh lidhur me çështjen e rinovimit.
Në fakt ajo që e mban të qetë numrin 1 të klubit është fakti që Messi nuk rresht së dashuruari Barcelonën dhe vijon të mendojë që nuk do të luajë me asnjë ekip tjetër në Europë ndaj kuptohet edhe siguria te drejtuesit e klubit spanjoll.
Edhe pse do të jetë pa kontratë ditët e ardhshme, Messi pritet të nënshkruaj për dy sezone me Barcelonën dhe nuk përjashtohet që më pas të “emigrojë” në SHBA për të provuar një eksperiencë të re në Major League Soccer.
