Humbi gjyqin 110 mln euro me Becchettin, Rama shkarkon nga detyra Avokaten e Shtetit, Enkelejda Muçaj
Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Avokaten e Shtetit, Enkelejda Muçaj.
Avokatura e Shtetit e drejtuar prej saj e humbi gjyqin në Abitrazh me biznesmenin italian Francesco Becchetti lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit Agon Channel në vitin 2015.
Enkelejda Muçaj ishte e para që e pranoi publikisht se qeveria e humbi këtë proces ndërkombëtar.
Në një raportim para deputetëve të Komisionit të Ligjeve me 8 qershor të këtij viti ajo tha se Shqipëria kishte humbur pak në betejën me biznesmenin italian pasi dëmshpërblimi që ai kërkonte në Arbitrazh ishte disa herë më i lartë.
Tashmë fatura që do të paguajnë taksapaguesit shqiptarë për këtë humbje të qeverisë Rama është 110 milion euro pasi Gjykata e Arbitrazhit e konsideroi të motivuar politikisht mbylljen e televizionit Agon.
Kryeministri në vend të Muçaj ka emëruar Avokate të Shtetit Brunilda Lilon e cila ka qenë pjesë e proceseve të Arbitrazhit.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika1, 26, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Enkelejda Muçaj lirohet nga detyra si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Brunilda Lilo emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

