Aksidenti ku vdiqën 4 anëtarët e familjes Gushi/ Burg për Igli Madanin, avokati kërkoi masë më të butë

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Igli Madanin.

Madani është drejtuesi i mjetit tip ''Audi'' që sipas hetimeve shkaktoi aksidentin tragjik, ku u shua familja Gushi në aksin Fier-Vlorë. 

Madani nuk ishte i pranishëm në dhënien e masës së sigurisë, ndërsa u paraqit avokati i tij me prokurë, Remzi Mehmetaj.

Gjatë seancës avokati i Madanit ka kërkuar një masë më të lehtësuar për klientin e tij.

Ai e ka lidhur gjithçka me gjendjen e renduar psikologjike të Madanit pas aksidentit të rëndë.

Sipas informacioneve Igli Madani ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë pasi ka dëmtime në shtyllën kurrizore, qafë dhe në trup.

Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e 25 qershorit, në zonën e njohur si “Zona e Kripës” rreth orës 08:23.

Mjeti tip “Audi” përplasi makinën e llojit “Toyota” dhe shkaktoi kështu vdekjen e katër anëtarëve, prindërve dhe dy vajzave të familjes Gushi.

Më pas ''Audi" u përplas me shtyllën elektrike dhe përfundoi në kanal, ku mbetën të plagosur 3 personat që ishin brenda.