Basha: Pushteti i lidhur me krimin, Rama nuk e fsheh dot përgjegjësinë për masakrën e Velipojës
Pas presidentit Meta, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me ngjarjen e rëndë në Velipojë me 4 viktima.
Basha shkruan se shteti është gjunjëzuar para krimit dhe konfirmohet gjunjëzimi i shtetit të bërë njësh me krimin.
Sipas Bashës, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik.
Basha i është referuar edhe fotos së postuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook, për Velipojën turistike, duke thënë se përgjegjësia për këtë situatë Rama nuk e fsheh dot, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij.
Basha: Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik.
Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë.


