Njëri nga 4 viktimat në Velipojë, ky është Kujtim Verracaku, iu vra një djalë në vitin 2018
Përgjaket sezoni turistik në Velipojë, ku pas një sherri për shezlonget kanë mbetur të vdekur 4 persona dhe dy të tjerë janë plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të para mesnatës në plazhin e Velipojës, ku u regjistrua një përplasje me armë zjarri mes pronarëve të bizneseve Verracaku dhe Gocaj.
Shkak për sherrin u bë vendosja e disa shezlongëve në hapësirat e dy hoteleve që janë të vendosur 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.
Kujtim Ferracaku, personi në foto, është babai i Arjan Verracakut, të cilit iu bë atentat në vitin 2018, teksa po kalëronte i shoqëruar nga miqtë e tij.
Babai i dy fëmijëve të mitur u qëllua nga një person, i cili i zuri pritë dhe sipas hetuesve, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metra.
Kujtim verracaku akoma e mbante të vendosur fjongon e zezë në profilin e tij në Facebook për humbjen e të birit.
Ndërkohë, Velipoja është blinduar nga forcat e policisë qysh në orët e para të ditës, ku është ngritur një grup posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, si dhe grupi hetimor me specialistët e drejtorisë së Policisë Shkodër.
Po ashtu, në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale RENEA për të kapur autorët e krimit të rëndë.
FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt dhe po ashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë të të dy hoteleve për të krijuar një panoramë më të qartë të ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj tha më herët se në këtë konflikt janë përdorur më shumë se një armë, ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale.
Brahimaj: Rreth orës 00:30 ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale para hotel Gocaj. Për shkak të një konflikti me armë të çastit për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë ku vendosen shezlongët, kanë gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, Xhovano Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli. Është përdorur më shumë se 1 armë. Kemi bërë sekuestrimin e kamerave të sigurisë. Do të ketë persona të arrestuar dhe të shpallur në kërkim.


