U vranë me armë 4 persona, kryeministri Rama: Mirëmëngjes nga Velipoja e dashur

Edhe pse Velipoja u përgjak orët e para të mëngjesit të 27 qershorit, me 4 viktima dhe dy të plagosur. Kjo nuk e ka penguar kryeministrin Edi Rama që të postojë në mëngjes një foto nga plazhi i Velipojës duke uruar "mirëmëngjes".

Ndonëse nuk ka pasur asnjë reagim për tragjedinë që ndodhi në Velipojë nga kryeministri, ai nuk ka nguruar që të publikojë një foto nga sipër të çadrave të plazhit.

Por duket se postimi i kryeministrit ka qenë i planifikuar më herët, për tu postuar rreth orës 8 të mëngjesit, pasi është lënë disa minuta dhe është hequr tashmë si postim.

Plazhi i Velipojës u trondit nga një ngjarje e rëndë që u shënua 30 minuta pas mesnatës së të shtunës.

Katër persona mbetën të vrarë ndërsa dy të tjerë u plagosën pas një konflikti me armë që u shënua përpara një hoteli për disa shezlonge.  

Mes viktimave janë dy vëllezër, babai i Arjan Verracakut i vrarë në 2018 dhe një 20 vjeçar.

Ndërsa mbetën të plagosur vëllai i Kujtim Verracakut dhe një adoleshent të cilët sipas policisë dyshohet se janë autorë të konfliktit me armë.

Ndërkohë, në Velipojë mbërritën drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu dhe forcat RENEA të cilët janë në kërkim të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.