Dushi: KLP e KLGJ standard i dyfishtë për Vettingun, Gjykata e Lartë 13 mijë dosje për 1 gjyqtar
Në një intervistë për RTV Ora, avokatja Ilda Dushi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit u shpreh se në monitorimin nga ky Komitet të KLGJ-së e KLP-Së janë gjetur disa gjëra negative.
Dusha tha se Demokracia brenda këtyre mbledhjeve të këshillave ka lënë për të dëshiruar për shkak të mungesë së debatit.
Ajo theksoi se është evidentuar një standard i dyfishtë që përdornin këshillat për të ngritur në detyrë magjistratët lidhur me procesin e Vettingut.
Dushi: Në konferencën tonë të djeshme dhe raportin monitorues nga dhjetori 2020 deri në prill 2021. Ne kemi caktuar 7 ekspertë duke monitoruar veprimtaritë e këshillave gjyqësor dhe atë të prokurorive. Ne kemi një numër shumë të lartë gjetjesh në këtë raport. Ajo që kemi vënë re fillimisht ka të bëjë me aspektin demokratik. Këshillat u mbyllën për shkak të pandemisë dhe mbledhjet u mbajtën online. Demokracia brenda këtyre mbledhjeve linte për të dëshiruar, sepse shumë vendime në KLGJ nuk kishte gati fare debat, ndërsa në KLP kishte shumë debate.
Gjetja e dytë është standardi i dyfishtë që përdornin këshillat për të ngritur në detyrë magjistratët. Rasti i tillë ka të bëjë me drejtuesit e prokurorive dhe gjykatave. KLGJ-ja cakton kryetar gjykatës pasi kanë mbaruar Vettingun në të gjitha shkallët, ndërsa KLP-ja ka caktuar drejtues që mund të kenë kaluar vetëm një ose disa shkallë të Vettingut. Ne rekomandojmë një unifikim të kësaj prokurorie, sepse ata që nuk e kanë kaluar Vettingun mund të rrezikojnë përsëritjen e procesit dhe mund të krijohen vakanca. Procesi i kaluar nga Vettingu është një gjë më e sigurt në këtë rast.
Dushi shtoi se një aspekt që duhet përmirësuar është se duhet të nxjerrin aktet normative që ligji e parashikon qartësisht dhe pohoi se ka një mbingarkesë me dosje.
Dushi: Nga monitorimi ynë kemi aspekte pozitive dhe negative në raport më këshillat. Një aspekt që duhet përmirësuar është se duhet të nxjerrin aktet normative që ligji e parashikon qartësisht. Ata argumentojnë se kanë pasur ngarkesë. Këshillat kanë vështirësitë e në përmbushjen e afateve, Vettingu ka krijuar edhe një ngërç në gjithë këto struktura. Ne kemi evidentuar mbingarkesën e gjykatave kryesore. Gjykata e Lartë ka rreth 39 mijë dosje, ose 13 mijë dosje një gjyqtar. Që këtu kuptohet se është shumë e vështirë dhe procesi ligjor ka shumë vështirësi për tu ndjekur.

