Rama vlerëson projektin dhe implementimin e teknologjisë më të fundit

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në stabilimentin e ujit selita në Tiranë. Përmes teknologjisë më të fundit, uji arrin në tryezat e konsumatorëve me të gjitha vlerat natyrore.

Me një panoramë mbresëlënëse, 1000 metra mbi nivelin e detit, në një nga shpatet malore të Dajtit ka nisur punën një nga stabilimentet më moderne në të gjithë rajonin.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar na Presidenti i Grupit Kastrati, z.Shefqet Kastrati dhe Drejtori i Përgjithshëm i Blu Imperial, Julian Beqiri inspektoi nga afër ambientet e stabilimentit të ri duke shprehur vlerësimet maksimale për investimin

Ky projekt arrin shifrën 20 milion dollarë me kapacitet mbi 300 mijë shishe plastike dhe 100 mijë shishe qelqi në ditë. Rama pati mundësinë të vizitonte të gjitha ambientet e fabrikës dhe të njihej nga afër me të gjithë perkursin e ujit Selita. Një proces i gjithi i automatizuar dhe i avancuar teknologjikisht: nga filtrimi me filtra të krijuar enkas për ujin Selita e deri te mbushja dhe ambalazhimi i tij në shishe cilësore dhe rezistente.

Vendburimi i Selitës është certifikuar për ujin e tij të pijshëm që në fillim të viteve ’50 dhe prej disa dekadash ky burim vazhdon të furnizojë tryezat e konsumatorëve me ujë të pijshëm. 

Uji Selita buron i ftohtë me temperaturë 6° Celsius dhe konsiderohet nga ekspertët i ekuilibruar dhe me pëmbajtje të lartë oksigjeni, ndaj për të ruajtur vlerat natyrore të këtij uji, në fabrikën Selita është instaluar teknologjia më bashkëkohore.

Gjatë vizitës së Kryeministrit, ishte i pranishëm edhe Gottfried Werner, Drejtori i Shitjeve për Europën Lindore i KRONES AG. Werner e cilësoi bashkëpunimin me Grupin Kastrati dhe Blu Imperial si të shkëlqyer.