Cigarja i vë zjarrin ullishtes në Sarandë, mbi 250 rrënja të djegura, pronari me sytë nga shteti

Ka qenë ora 14:00 e pasdites së sotme, 24 qershor, kur një qytetar ka raportuar për djegien e kodrinave në  fshatin Volloder të Sarandës.

Mbi 250 rrënjë ullinj në pronësi të Pëllumb Pezgës, u dogjën tërësisht.

"Shumë dëme ka bërë. Nuk përjashtohet mundësia që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm. Por njeriu keq nuk i kam bërë deri më tani, madje kam ndihmuar njerëz. Ishin 500 veta këtu asnjë nuk erdhi.Çfarë të thuash për këta njerëz?! Unë nuk i kam bërë njeriu keq."

Të mbjella prej 11 vitesh, parcelat me ullinj ishin të vetmet burim të ardhurash për familjen Pezga.

Ata apelojnë për ndihmë nga instancat shtetërore.

"Isha në shtëpi po flija gjumë, më merr kunata në telefon: Ik se po bëhet nami, po na digjen ullinjtë. Vi këtu, zjarri po ngjitej te ullinjtë lart, këpusim nga një degë ulliri dhe e përcollëm deri mbi kanal, shpëtuam një pjesë të tokës. Këtu duhet të ndërhyjë shteti, është bërë dëm i madh, janë djegur mbi 250 rrënjë ullinj.  Ai nuk e përballon dot i varfri. Këtë të ardhur ka, asnjë tjetër. Kush ka mundësi ta ndihmojë, të vërë dorën në zemër çdo njeri" thotë vëllai i Pezgës.

Parcelat me ullinj ndodhen vetëm pak metër mbi aksin nacional Sarandë-Himarë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit të ketë qenë një bisht cigareje.

Për dy orë grupet e zjarrëfikëses kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat ishin ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta, por pa mundur të shpëtojnë ullinjtë.