Celibashi: 5 mijë emigrantë s'votuan dot më 25 prill! Kodheli lë Kuvendin, emocionon me fjalimin  

Ilirjan Celibashi, i bëri të ditur parlamentit të vjetër certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit dhe shpërndarjen e mandateve. Kreu i kqz-së, tha se vullneti politik pamundësoi votimin më shumë se 5000 emigrantëve. Ndërkohë ish ministrja e mbrojtjes  Mimi Kodheli, mbajti fjalimin e lamtumirës në kuvend.

Kryetari i  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, informoi parlamentin në ikje, për certifikimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe shpërndarjen e mandateve.

Ai tha se përtej punës voluminizoe, ky institucion  nuk arriti të hartonte rregullat për votimin e emigrantëve, ndërsa zbuloi se rreth 5 mijë shqiptarë jashtë atdheut u regjistruan për të votuar, por mbetën jashtë procesit.

“Nuk kemi dashur që të cënojnë integritetin e këtij procesi zgjedhor, e kjo pjesë e procesit zgjedhor pastaj të cenonte në tërësi zgedhjet e 25 prillit."- u shpreh Celibashi. 

Edhe pse seance e fundit për këtë sesion parlamentar do të zhvillohet në muajin korrik, deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli, e cila nuk do të jetë ligjvënëse mbajti fjalën e lamtumirës.

“Kjo është fjala ime e fundit në këtë sallë si deputete. Nuk dua të flasë për atë që nuk kemi ditur të bëjmë apo më keq akoma që se kemi bërë fare.

Sepse gjërat edhe pse nuk dimë apo nuk duam t’i rregullojmë, është koha që i rregullon. Me të gjithë të metat tona, ky institucion dhe kjo foltore, mbeten më të rëndësishme brenda republikës sonë parlamentare. Me respekt dhe përulje për të gjithë ata kolegët që në këto vite kanë dhënë maksimumin e tyre për të përmbushur këtë detyrë me seriozitet dhe me nder."- tha Kodheli. 

Ajo u ndal  nga ofendimet e shumta që ka marrë në këtë sallë deri tek falenderimet për socialistët dhe kundërshtarët  politik me integritet.

“Shqipëria, ndodhet sot në një nga momentet e saj më të rëndësishme ndaj çdo pune e bërë mirë  me modesti dhe pa egoizëm personal i bën mirë të ardhmes. Ju falenderoj për kohën, mbështetjen durimin dhe besimin. Shpresoj të shihemi së shpejti duke bërë punë të mira për të mirën e  vendit. "- tha Kodheli. 

Fjalimin e saj ashtu sikurse edhe detyrën si deputete, e mbylli  duke theksuar se   nuk ka bërë mrekullira por ka pasur mision të qartë dhe angazhim maksimal. Ndërsa për Ramën tha se ka qenë mik, shok e koleg për të.